Skip to content
Aktualitet

Zjarri te “Casa Italia”/ Merret në hetim inxhinieri elektrik, dyshimet e para për shkaqet e zjarrit

· 2 min lexim

Pas ngjarjes së rëndë në godinën e “Casa Italia”, policia ka marrë në hetim inxhinierin elektrik të godinës.

Në hetimin që po kryhet pritet të zbulohet arsyeja  e saktë përse qendra tregtare është përfshirë nga zjarri, i cili u fik pas 3 ditë përpjekjesh.

Paraprakisht dyshohet se zjarri u shkaktua nga një neon i vjetër në magazinën e qendrës tregtare.

Edhe pse jemi një javë pas nga zjarri gjigand në katin e nëndheshëm të “Casa Italia”, ende nuk është dhënë shkaku kryesor i zjarrit që mori jetën heroit Arjan Sala, i cili u fut për të shpëtuar më shumë se 20 persona të tjerë.

Kujtojmë se trupi i tij u gjet 3 ditë pas zjarrit që ra tek qendra tregtare ku ai punonte. Ekspertiza paraprake zbuloi se i riu ka qëndruar rreth 24 orë gjallë, por më pas nuk ia ka dalë që të mbijetojë, duke ndërruar jetë prej asfiksisë.

Trupi i tij u nxor me vonesë, ndërsa një përplasje e familjarëve dhe forcave zjarrfikëse vuri nën presion autoritetet që të gjenin sa më herët trupin e Arjan Salës, një punëtori të zakonshëm që shpëtoi rreth 25 qytetarë dhe u vetësakrifikua në zjarrin masiv që ra te Casaitalia, ku temperatura gjatë 2 ditëve shkoi në 900 gradë Celsius.