Pasi lavdëroi SPAK-un, Ambasadorja holandeze shmang përgjigjet për dosjet e korrupsionit dhe nuk sqaron dhunën në protesta: Përse hesht për përgjegjësitë e drejtësisë dhe policisë?

Vetëm katër ditë pasi Ambasada holandeze vlerësoi rolin e SPAK-ut dhe institucioneve shqiptare të prokurorisë, pas takimit me Klodjan Brahon, ambasadorja Marleen Monster ka folur sërish. Këtë herë nga Korça, për korrupsionin, protestat, dhunën, lirinë e medias dhe reformën në drejtësi.
Por deklarata e saj ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje.
E pyetur drejtpërdrejt se si e sheh luftën kundër korrupsionit dhe faktin që studentët e qytetarët po protestojnë kundër tij, ambasadorja nuk përmendi asnjë dosje konkrete, asnjë përgjegjësi institucionale dhe asnjë rezultat që duhet të kërkohet nga drejtësia.
Në vend të kësaj, ajo foli për qasjen e Holandës, e cila, sipas saj, mbështetet te të qenit strikt, i drejtë dhe i angazhuar, si dhe për vazhdimin e mbështetjes ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë.
Por çfarë do të thotë të jesh strikt, kur përballë ke një vend ku qytetarët protestojnë prej muajsh kundër korrupsionit dhe drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare për dosjet më të mëdha?
Më 2 nëntor, pas takimit me kreun e SPAK-ut, Klodjan Braho, dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, Ambasada holandeze deklaroi se vlerëson rolin e rëndësishëm të institucioneve shqiptare të prokurorisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gazeta Reforma ngriti atëherë një pyetje që mbetet po aq e rëndësishme edhe sot: Për çfarë vlerësohet SPAK-u, kur dosjet më të forta, Balluku, inceneratorët, AKSHI, Gërdeci dhe 21 Janari ende nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare? (Lexo këtu)
Këto janë çështje që prekin drejtpërdrejt paratë publike, jetët e humbura, përgjegjësinë e pushtetarëve dhe besimin e shqiptarëve te drejtësia.
Dhe pikërisht për këto çështje, partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformën në drejtësi duhet të kërkojnë rezultate konkrete, jo të mjaftohen me vlerësime diplomatike.
Por deklarata e sotme ka edhe një tjetër problem: dhunën në protesta.
“Protestat na treguan se ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare, sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar. Megjithatë, ne i qëndrojmë mendimit se protestat janë në rregull dhe përbëjnë një të drejtë themelore. Por dhuna është diçka që na ka shokuar dhe na ka surprizuar”, deklaroi Monster.
Dhuna e kujt, zonja ambasadore?
E protestuesve, e policisë apo e të dyja palëve?
Po denoncimet për dhunë policore, arrestime të kundërshtuara si të paligjshme dhe trajtimin e të miturve gjatë protestave, a janë shqyrtuar me të njëjtën vëmendje?
Të dënosh dhunën është e domosdoshme. Por të mos identifikosh përgjegjësitë, sidomos kur bëhet fjalë për institucione që kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët e madje shpërblehen të të dhunojnë, lë një pyetje thelbësore pa përgjigje.
Ambasadorja foli edhe për lirinë e medias, duke pranuar se ajo mbetet një prej problemeve që kërkojnë më shumë vëmendje. Por edhe këtu lind pyetja: Kush duhet të mbajë përgjegjësi kur liria e medias cenohet dhe çfarë kërkohet konkretisht nga institucionet shqiptare për ta mbrojtur atë?
Ndërkohë, për reformën në drejtësi, Monster bëri një pohim që duhet marrë seriozisht:
“Besoj se kjo ka të bëjë jo vetëm me atë që është shkruar në letra, por edhe me zbatimin e saj në praktikë dhe me qëndrimin deri në fund të angazhimeve të marra në kuadër të këtyre reformave.”
Pikërisht!
Drejtësia nuk matet me atë që shkruhet në letra, as me numrin e takimeve dhe deklaratave mbështetëse. Matet me atë që arrin të provojë dhe të çojë deri në fund.
Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Një shoqëri e tërë, brenda dhe jashtë vendit, pret që drejtësia të mos mbetet peng i zvarritjeve dhe i pandëshkueshmërisë.
SPAK-u ka sot mundësinë të bëjë histori, duke hetuar deri në fund, duke ngritur akuzat që mbështeten në prova dhe duke kërkuar përgjegjësi penale pa dallim pushteti. Vendimet dhe dënimet u takojnë gjykatave, por përgjegjësia për të çuar përpara hetimet i takon prokurorisë.
Holanda dhe partnerët ndërkombëtarë kanë investuar besim, mbështetje dhe burime në reformën shqiptare të drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimet e tyre duhet të shoqërohen me kërkesa të qarta për llogaridhënie.
Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për një tjetër deklaratë që u thotë se reforma po konsolidohet. Kanë nevojë të shohin se ajo po funksionon.
Dhe nëse ambasadorja holandeze kërkon që angazhimet të çohen deri në fund, atëherë përse vlerësimet për SPAK-un nuk shoqërohen me të njëjtën forcë kërkese për përfundimin e dosjeve që shqiptarët presin prej vitesh?