Skip to content
Të Gjitha

Zgjerohet tryeza e Këshillit të Ministrave, Rama propozon Ahmetajn ministër për Rindërtimin

· 2 min lexim

Pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria ka nisur punën për të rikuperuar dëmet.

Kryeministri Edi Rama gjatë këtyre ditëve, ka bërë disa propozime për programin e rindërtimit.

Së fundmi shefi i qeverisë i ka propozuar presidentit Ilir Meta, që të emërojë si ministër të Shtetit për Rindërtim, ish-Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama shkruan se programi i rindërtimit, kërkon hapjen e një vendi të posaçëm në tryezën e Këshillit të Ministrave, ku një ministër të merret me koordinimin e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe të mbikëqyrë zbatimin e programit.

“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Rama.

Presidenca ka reaguar menjëherë nëpërmjet zëdhënësit, Tedi Blushi, i cili është shprehur, se presidenti nuk do të vonohet asnjë sekond për dekretimin e Ahmetajt.

“Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, shkruan Blushi.