Kandidati i PDK-së, Haki Morina ka shpërthyer në “lum” sharjesh dhe mallkimesh ndaj qytetarëve kosovarë.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mallkuar të gjithë ata që i kanë premtuar votën dhe nuk ia kanë dhënë atë.
“Ata që pa ju thënë ma kanë premtu votën, e s’ma kanë dhënë, ju rafte kanceri, sida dhe Covid19”, ka shkruar Morina në Facebook.
Ndërkohë, ai e ka edituar postimin, duke hequr nga “mallkimi” i tij, kancerin dhe sidën.
“Ata që (pa ua kërkuar) ma kanë premtu votën, e s’ma kanë dhënë, ju rafte Covid19”, ka shkruar Morina herën e dytë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, duke i hapur rrugën procesit të ngritjes së institucioneve të reja.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.7 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.1 për qind, dhe Lista Serbe me 5.09 për qind.
Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 vende në parlamentin 120 vendesh, Partia Demokratike 19, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 15 vende, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 vende dhe Lista Serbe 10 vende aq sa i takojnë komunitetit serb. Dhjetë vende të tjera u takojnë partive politike të pakicave jo serbe.
Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi rezultatin si referendum dhe sipas saj qytetarët “me 50.28% u deklaruan se regjimi i vjetër duhet të shkojë dhe vendit duhet t’i hapet perspektivë e re, me zhvillim e pa korrupsion, me mirëqenie e mirëqeverisje”.