Skip to content
Të Gjitha

Zbardhet projektligji përfundimtar i amnistisë për të burgosurit\ Mbi 650 përfitues, ja kriteret që duhen plotësuar

· 3 min lexim

Report Tv ka zbardhur draftin e qeverisë për amnistinë e fundvitit.

Sipas tij, nga amnistia do të përfitojnë 56 gra të burgosura, 6 fëmijë të mitur, burrat të dënuar deri në dy vite dhe në moshën mbi 60 vjeç.

Në Burgun e Grave në Tiranë 28 gra do të lirohen dhe  28 të tjera do përfitojnë 1\3 ulje të dënimit, nga 56 të burgosura .

Drafti pritet të miratohet në Kuvend në seancën e parë të sesionit parlamentar në janar të vitit 2020.

Gjithashtu do përfitojnë nga amnistia personat meshkuj, të cilët :

– janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë

– janë dënuar deri në 2 vite burg  ose çdolloj dënimi tjetër më të butë,

– janë dënuar me  një nga llojet e alternativave të dënimit me burg.

Kriteret që duhet të plotësohen për përfitimin e amnistisë

  1. Amnistohen personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
  2.  Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.9.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
  3. Amnistohen personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
  4. Amnistohen personat femra dhe të mitur, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
  5. Amnistohen personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
  6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
  7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
  8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur, të cilët nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikave 2, 4, 5 dhe 7, të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.

 

Nga amnistia e fundvitet pritet të përfitojnë minimalisht 650 të dënuar.

Prej tre vitesh ligji për amnistinë nuk ka mundur të shkojë në Kuvend.

731 të dënuar e fundit që patën mundësi të liroheshin nga amnistia i përkasin vitit 2016.