Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë informoi se janë identifikuar 21 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, nga 262 testime, nga të cilët 13 janë presonel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë.
Së fundmi, detaje të reja janë zbardhur nga infektimi me koronavirus i 15 mjekëve dhe infermierëve në QSUT, pasi “News24” informon se një infermiere e infektuar me Covid-19 ka infektuar thuajse të gjithë pavionin.
Nga 20 tamponët e marrë dje rezultuan pozitivë 15 personel mjekësor, ndërsa gjatë ditës së sotme janë marrë të tjerë tamponë, rezultatet e të cilëve priten nesër.
Nga ana tjetër, vetëm në 24 orët e fundit ka tetë raste të reja të shtruara në Spitalin Infektiv, pra, kemi një rritje të ndjeshme me 50% të rasteve, por lajm i mirë është se në këto raste nuk ka forma të rënduara të virusit.
Sakaq, pas shtimit të rasteve, edhe QSUT ka marrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e Covid-19 dhe siç duket nga pamjet e publikuara, qytetarët që duan të marrin shërbimin mjekësor kanë zënë radhë para derës dhe presin momentin kur të futen.
Të gjithë me maskat vënë presin, megjithatë problem ende duket se është distanca sociale.