Ditën e djeshme u raportua se, Zani Caushi kërkoi lirimin nga qelia. Në kërkesën e tij, ‘i forti i Çoles’ kërkoi që të dilte nga burgu me arsyetimin se ka fëmijë të mitur për të rritur dhe me zotimin se do të riintegrohej në shoqëri duke filluar edhe punë. (Lexo këtu)
Pas tij, duket se ka marrë zemër edhe Gazmend Brakaj, i ashtuquajturi ‘Gaxhai’, u cili ka kërkuar ulje dënimi me 90 ditë. Kërkesa e Brakajt është depozituar më 6 mars të vitit 2020 dhe është rrëzuar nga Gjyakata e Elbasanit më datë 8 korrik 2020. Gjyqtarja Miranda Çekrezi, ka vendosur që ta pushojë këtë gjykim, pasi vetë avokati mbrojtës i ‘Gaxhait nuk është paraqitur në sallë.
Gazmend Brakaj, ka dy dënime me burg të përjetshëm dhe aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit. Ai është dënuar për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës dhe për ekzekutimin e gjashtë personave të tjerë. Bëhet fjalë për efektivin Viron Rrapaj dhe personat e tjerë të identifikuar si: Sadik Kurti, Bashkim Dule, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka Zini Haruni dhe Robert Myftari. Këto dy dënime, Brakaj i bashkoi në një të vetëm dhe u dënua përjetë me vendimin e dhënë përfundimisht, në vitin 2018.
Kujtojmë se llogaritja e dënimit të “Gaxhait” fillon qysh prej datës 29 qershor 1999, kur është arrestuar në Durrës, vetëm pak momente pas vrasjes së dy shokëve të Lulzim Berishës, Ilir Paja dhe Arben Xhunga.