Skip to content
Të Gjitha

Vrau prostitutat dhe u arratis nga burgu në Itali, kapet vlonjati i rrezikshëm i dënuar me burg të përjetshëm

· 2 min lexim

Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e sotme një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Bëhet fjalë për 38-vjeçarin, Tesilvan Basho.

Ky i fundit tentoi të largohej, por u neutralizua nga efektivët.

Ai u arrestua në një sallë bilardoje.

Gjykata e Torinos e ka dënuar Bashon në 2016-ën me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtje dhe transportim pa leje i armëve të zjarrit”.

Basho ka vrarë më 24 janar të 2008-ës me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në Torino, ku njëra prej tyre ishte nën tutelën e tij.

Ai gjithashtu është arratisur në 2016-ën nga burgu i Rebibbos në Itali.

Ndaj tij rëndonte edhe një masë sigurie “Arrest me burg”, e vendosur nga Gjykata e Vlorës, për “Armëmbëjtje pa leje” dhe “Prodhim e shitje narkotikësh”.

Njëkohësisht është arrestuar edhe vëllai i tij, Satilno Basho, për veprën penale, “Shtrëngim me anë të dhunës për dhënie pasurie”.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 kallashnikovë, 6 krehëra me fishekë, një armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e lëndës narkotike, 10 kg kanabis, 5 radio marrëse policie, 900 euro dhe dokumenta të ndryshëm.