Vrau me kallashnikov shokun e fëmijërisë, 20-vjeçarin Joan Zuko/ Gjykata lë në burg Kristjan Sterjon, zbardhet dëshmia për konfliktin

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 20-vjeçarin Kristjan Sterjo, i akuzuar për vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë, Joan Zuko, pasditen e 8 gushtit. Sterjo u shoqërua në gjykatë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa janë zbardhur edhe detaje nga dëshmia e tij për konfliktet që, sipas tij, çuan në krim.
Ndaj Sterjos rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas të dhënave të deritanishme, Sterjo dhe Zuko kishin pasur disa konflikte të mëparshme mes tyre, të lidhura me përplasjet se kush ishte “më i forti”. Një tjetër shkak i pretenduar nga Sterjo lidhet me të dashurën e tij, pasi 20-vjeçari ka deklaruar se viktima e kishte ngacmuar atë.
Në dëshminë e tij për ngjarjen e 8 gushtit, Sterjo ka treguar se atë ditë kishte parë Zukon në një automjet “Benz”, të shoqëruar nga një person tjetër, dhe i kishte kërkuar të ndalonte. Sipas versionit të tij, kur iu afrua për t’u sqaruar, Zuko nxori një thikë dhe qëlloi në drejtim të tij, ndërsa më pas e shau.
Sterjo ka deklaruar se, në gjaknxehtësi e sipër, u kthye në shtëpi, ku mbante të fshehur një armë zjarri të tipit pushkë, të cilën e kishte pa tytë. Ai e vendosi armën në një thes të bardhë dhe më pas u nis drejt lagjes ku ndodhej Joan Zuko.
Sipas dëshmisë së tij, Sterjo e ndoqi 20-vjeçarin dhe, përpara se ta qëllonte, Zuko e kishte sharë sërish në lagjen e tij. Sterjo pretendon se synonte ta qëllonte viktimën në këmbë dhe se nuk e dinte se plumbi do t’i shkaktonte vdekjen. Pas të shtënës, ai është larguar pa kthyer më kokën pas.
Joan Zuko u qëllua me një plumb të vetëm në katin e tretë të një pallati. Pas krismës, banorët e pallatit dolën nga banesat dhe e gjetën 20-vjeçarin të shtrirë pranë derës së një apartamenti.
Pas vrasjes nisi një operacion i gjerë për kapjen e Sterjos. Për rreth gjashtë orë, policia dhe forcat RENEA u vunë në ndjekje të tij, deri në arrestimin e 20-vjeçarit.
Hetimet kanë zbardhur edhe veprimet që Sterjo dyshohet se kreu pas krimit. Ai e kishte fshehur armën në një shkurre në zonën e Fushës së Druve dhe më pas ishte kthyer në shtëpi, ku kishte futur rrobat në lavatriçe. Më pas ishte larguar dhe ishte fshehur në një godinë të pabanuar.
Gjatë kohës që kërkohej nga policia, Sterjo kishte çaktivizuar edhe rrjetet e tij sociale, në përpjekje për të humbur gjurmët.
Kristjan Sterjo rezulton të jetë një emër me precedentë dhe problematika të mëparshme me ligjin. Ai është arrestuar edhe më herët për një plagosje me thikë.
Pas arrestimit dhe daljes së tij këtë të mërkurë para Gjykatës së Korçës nën masa të shtuara sigurie, gjykata vendosi që 20-vjeçari të qëndrojë në “arrest me burg”, ndërsa ndaj tij vijon procedimi për vrasjen me paramendim të Joan Zukos dhe armëmbajtjen pa leje.