Skip to content
Kryesore

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, Sokrat Vata: Thika ishte e viktimës

· 3 min lexim

Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ndërsa Sokrat Vata, i dyshuar si autori i goditjeve fatale, ka dhënë deklarimet e para përpara grupit hetimor. Ai pretendon se konflikti nisi mes turistëve, të cilët sipas tij ishin nën efektin e alkoolit, ndërsa ka mohuar se thika e përdorur në krim ishte e tij.

Në deklarimet paraprake, Vata ka pohuar se turistëve iu kërkua të ruanin qetësinë, pasi në lokalin “Principote” ndodheshin edhe klientë të tjerë.

Sipas versionit të tij, situata nuk u qetësua dhe më pas nisi përplasja fizike. Vata pretendon gjithashtu se arma e ftohtë me të cilën u godit për vdekje 20-vjeçari nuk i përkiste atij, por vetë viktimës.

“Thika me të cilën u vra 20-vjeçari portugez ishte e viktimës”, është shprehur Vata.

Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në dritë një dinamikë më të gjerë të konfliktit që përfundoi me vdekjen e turistit portugez.

Sipas hetimeve të Policisë, përplasja dyshohet se nisi mes Luis Miguel Varela Mendes dhe 29-vjeçarit David Heurtevent, shqiptar dhe banues në Vorë. Heurtevent dyshohet se është konfliktuar fillimisht me turistin në ambientet e “Principote” dhe më pas e ka goditur me grushte.

Pas goditjeve të para, në përleshje dyshohet se janë përfshirë edhe disa pjesëtarë të stafit të lokalit, të cilët dyshohet se kanë goditur 20-vjeçarin portugez.

Situata më pas agravoi dhe, sipas Policisë, në konflikt ndërhyri Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili dyshohet se e goditi disa herë me thikë turistin. Plagët e marra rezultuan fatale për 20-vjeçarin.

Për ngjarjen është arrestuar Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, ndërsa David Heurtevent është shpallur në kërkim. Të dy dyshohen për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe persona të tjerë, mes tyre punonjës të lokalit “Principote”, të dyshuar për përfshirje në përleshje ose për mosnjoftimin e autoriteteve pas ngjarjes.

Një tjetër element që mbetet për t’u sqaruar lidhet me momentin e goditjes fatale. Shokët e viktimës kanë deklaruar se nuk e kanë parë momentin kur 20-vjeçari është goditur me thikë.

Ata kanë treguar se janë përballur me Policinë në mëngjes dhe se në hyrje të beach barit, shumë pranë bregut të detit, kanë parë trupin e pajetë të shokut të tyre. Sipas dëshmive të tyre, deri në atë moment nuk kishin dijeni se çfarë kishte ndodhur me të riun.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar plotësisht përplasjen, për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për të verifikuar edhe pretendimin e Sokrat Vatës se thika e përdorur në vrasje i përkiste viktimës.