Skip to content
Kryesore

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, reagon “Principote” Mykonos: Beach-bari ka përdorur ilegalisht emrin tonë

· 2 min lexim

“Principote” Mykonos në Greqi ka reaguar pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, duke sqaruar se nuk ka asnjë lidhje biznesi apo marrëdhënie tjetër me beach-barin me të njëjtin emër në Shqipëri.

Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në Ksamil, ku Luis Miguel Varela Mendes u vra me thikë në lokalin “Principote” nga Sokrat Vata.

Pas ngjarjes, “Principote” Mykonos ka dalë me një deklaratë publike për të shmangur çdo lidhje të emrit të tij me lokalin në Ksamil. Përfaqësuesit e biznesit grek deklarojnë se beach-bari shqiptar ka përdorur ilegalisht emrin e tyre dhe se ndaj tij janë ndërmarrë veprime ligjore.

Sipas deklaratës, këto veprime synojnë ndalimin e përdorimit të emrit “Principote” dhe të asaj që biznesi në Mykonos e konsideron konkurrencë të padrejtë, përmes shfrytëzimit të reputacionit ndërkombëtar të markës së tyre.

“Në dritën e një incidenti tragjik që ndodhi së fundmi në qytetin shqiptar të Ksamilit dhe në një dyqan që po përdor ilegalisht emrin tonë të biznesit, sqarojmë, për të shmangur konfuzionin, se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar, i cili po përdor ilegalisht emrin tonë dhe kundër të cilit kemi ndërmarrë veprime ligjore, me qëllim që ta ndalojmë atë të përfshihet në konkurrencë të padrejtë në dëmin tonë, duke ‘korrur’ ilegalisht reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka fituar gjatë shumë viteve të ofrimit të shërbimeve të nivelit më të lartë”, thuhet në reagimin e “Principote” Mykonos.