Vrasja e Jurgen Kurtit, ja vendimi për 3 të dyshuarit në ekzekutim
Gjykata ka caktuar masën arrest me burg për tre të rinjtë të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të ekzekutorit të Jurgen Kurtit.
Mbi ta rëndon akuza “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Sipas prokurorisë, Elsi Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos, në bashkëpunim dhe me Klodian Banen, i shpallur tashmë në kërkim, kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Jurgen Kurtit.
Policia njoftoi se gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.
Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 Euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Jurgen Kurti u ekzekutua më 18 mars 2019, rreth orës 22:30, në rrugën “Zef Jubani”, poshtë banesës së tij.