Skip to content
Kryesore

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, dosja e Shkambëve kalon për gjykim

· 2 min lexim

Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim dosjen për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor 2025. Për ngjarjen janë marrë të pandehur Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, ndërsa punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj akuzohet për shpërdorim detyre.

Elvis Shkambi përballet me akuzat për “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë ndaj palëve ndërgjyqëse, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ndodhi pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja në një proces për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore, që lidhej me një konflikt pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj.

Menjëherë pas vendimit, Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarit, duke e goditur në gjoks. Kalaja ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Autori e drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë të përfshirë në proces, Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, duke i plagosur. Pas të shtënave, Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u arrestua në flagrancë.

Prokuroria pretendon se Elvis Shkambi veproi në bashkëpunim me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi. Në dosjen hetimore përfshihet edhe deklarimi i autorit të dyshuar se kishte hyrë i armatosur në seanca të mëparshme gjyqësore dhe se xhaxhai ishte në dijeni të këtij fakti.

Përgjegjësia penale e punonjësit të sigurisë Banush Koxhaj do të shqyrtohet gjithashtu në gjykatë, pasi ai akuzohet për shpërdorim detyre.

Vrasja e gjyqtarit brenda institucionit ku ushtronte detyrën nxori në pah një problem serioz të sigurisë në gjykata. Fakti që një person arriti të hynte me armë zjarri në sallën e gjyqit dhe, sipas deklarimit të tij, e kishte bërë këtë edhe më parë, ngre shqetësime për funksionimin e kontrolleve të sigurisë dhe përgjegjësinë institucionale për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Me kalimin e dosjes për gjykim, çështja hyn në fazën ku gjykata do të shqyrtojë provat dhe përgjegjësinë penale të të pandehurve.