Skip to content
Kryesore

Djali dhunoi me sëpatë të dy prindërit në Durrës, ndërron jetë nga plagët pas 10 ditësh babai 72-vjeçar

· 2 min lexim

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 72-vjeçari që u dhunua brutalisht nga djali i tij dhjetë ditë më parë, në fshatin Rrushkull të Manzës, në Durrës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 nëntor, kur 37-vjeçari E. K. dyshohet se sulmoi me sëpatë të dy prindërit, përpara banesës së familjes Kaçuli, duke u shkaktuar plagë të rënda.

Babai 72-vjeçar, S. K., pësoi dëmtime të rënda në kokë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë pas dhjetë ditësh.

Ndërkohë, nëna 69-vjeçare, F. K., u dërgua në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku mori ndihmën mjekësore. Gjendja e saj u raportua e stabilizuar.

Pas sulmit, Policia shoqëroi 37-vjeçarin, për të cilin deklaroi paraprakisht se kishte probleme të shëndetit mendor. Në njoftimin zyrtar, Policia e përshkroi dhunën si goditje me sende të forta, ndërsa raportimet mediatike identifikuan sëpatën si mjetin e përdorur.

Vdekja e 72-vjeçarit e rëndon pasojën e sulmit ndaj prindërve, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar për ndryshimin e akuzës ndaj 37-vjeçarit pas humbjes së jetës së babait të tij.