Skip to content
Politikë

Vokshi apel Ramës: Hiq dorë nga emërimi i zëdhënëses në krye të AMA-s

· 2 min lexim

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka akuzuar kryeministrin Edi Rama lidhur me kreun e AMA-s, që pritet të votohet nesër në Kuvend. Albana Vokshi, i ka bërë thirrje kryeminsitrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për të emëruar në krye të AMA-s, zëdhënësen e PS-së. Ajo ndër të tjera ka thënë se nesër është dita që qeveria të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhit Shqipërisë. Ajo ka shkruar më tej se liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kërcënuar nga një regjim autoritarist.

Postimi i Vokshit:

  Liria e medias  dhe demokracia e kërcënuar nga regjimi që qëndron në pushtet me votë të vjedhur

Është koha që Edi Rama të tërhiqet nga vendimi antidemokratik për të kapur Autoritetin e Medias Audiovizive përmes zëdhënëses së tij.

Votimi i parashikuar nesër në orët e fundit të këtij parlamenti ilegjitim është kthyer në shqetësim për Reporterët Pa Kufij. Në reagimin e sotëm, organizata kryesore në mbrojtje të gazetarëve vë në dukje se ky vendim po merret pa opozitën, përpara nisjes nga puna të parlamentit të ri.

Është e papranueshme për standardet demokratike që zëdhënësja e Edi Ramës të emërohet në krye të një institucioni të pavarur, veçanërisht, kur qeveria nuk ka hequr dorë akoma nga ligji i censurës që dënon gazetarët me burg. 

Nesër është dita që qeveria të tërhiqet dhe të mos i nxijë më shumë imazhit Shqipërisë si vendi ku gazetarët dënohen me burg, liria e medias është në rrezik dhe demokracia akoma më e kercënuar nga nje regjim autoritarist që qendron në pushtet me votë të vjedhur!