800 milionë përdorues aktiv dhe vlerë 50 miliardë dollarë. Këto janë statistikat e fundit të bëra publike për rrjetin social të TikTok. Por lajmi kryesor nuk qëndron te statistikat, por te përpjekjet e SHBA-së për të vënë në hetim TikTok, që mund të sjellë edhe mbylljen e tij në territorin amerikan.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin ka bërë me dije se TikTok është nën hetim zyrtar nga Komisioni për Investimet e Huaja në SHBA, CFIUS. “TikTok është nën hetim nga CFIUS dhe ne do t’i bëjmë një raport Presidentit për të gjatë kësaj javë”, tha Mnuchin.
I krijuar në Kinë, ky aplikacion është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën, duke sfiduar aplikacionet e kontrolluara nga kompanitë amerikane si Instagram dhe Snapchat.
Në Uashington pretendojnë se TikTok mund të përdoret nga qeveria kineze për të vjedhur të dhënat e shtetasve amerikanë, ndaj ndalimi i aplikacionit është i mundur. Megjithatë, ky pretendim po kundërshtohet nga miliona amerikanë, përdorues të TikTok.
Vendimi përfundimtar për të përdorimin në të ardhmen të TikTok në SHBA do të merret nga presidenti Donald Trump.