Skip to content
Të Gjitha

Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti/ Pezullohen nga puna dy policët që e shoqëruan

· 2 min lexim

Mbrëmjen e sotme bëhet me dije se dy policët që shoqëruan në komisariat 32-vjeçarin Lear Kurti, i cili vdiq në ambientet e komisariatit nr.3 në Tiranë janë pezulluar nga puna.

Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një prononcim në SYRI TV, ka deklaruar se punonjësit e policisë së patrullës që bënë ndalimin e Laer Kurtit, janë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve.

Rrumbullaku nuk preferoi të bëjë komente dhe të japë informacione të tjera në lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se policia duke qenë palë e kësaj ngjarje, nuk mund të japë asnjë deklaratë.

‘Policia duke qenë palë, në lidhje me problemin, nuk ka dhënë asnjë lloj deklarate. Ju lutem shumë, përgjigjia ime është e thjeshtë dhe e qartë.

Është një rast fatkeq.

Ju lutem shumë, nuk kemi një polici të inkriminuar.

Nëse bëhet fjalë për rastin, do të ketë një ekspertizë mjekoligjore.

Unë jam drejtor i përgjithshëm dhe nuk mund të jem pjesë e hetimit.

Po janë të pezulluar punonjësit e policisë’, tha kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua në Tiranë në orët e vona të së mërkurës (19 tetor).

Laer Kurti nuk i ishte përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar e për t’i kontrolluar dokumentet dhe ishte larguar me vrap.

Pas ndjekjes, ai u ndalua në rrugën “Don Bosko” dhe u shoqërua për në Komisariatin Nr. 3.