Korrupsion në zgjedhje/ SPAK kërkon 1 vit burg dhe 5 vite larg funksioneve publike për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit burg për kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Përveç dënimit me burg, SPAK ka kërkuar që kryebashkiakut t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Kërkesa është paraqitur gjatë pretencës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas shqyrtimit të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.
Për çfarë akuzohet kryebashkiaku?
Sipas SPAK, Kristjan Shkreli dyshohet se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u ka premtuar dhe ofruar përfitime materiale zgjedhësve në fshatin Stajkë, në këmbim të votës në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Prokuroria e Posaçme e ka mbështetur akuzën në përgjime telefonike, vëzhgime në terren dhe veprime të tjera hetimore, të cilat, sipas saj, dokumentojnë përfshirjen e kryebashkiakut në veprimtari të kundërligjshme zgjedhore.
Pas përfundimit të hetimeve, SPAK e dërgoi dosjen për gjykim me akuzën e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Tashmë, pas kërkesës së prokurorisë për 1 vit burg dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, vendimi përfundimtar i takon GJKKO-së.