Skip to content
Rajoni

Vaksinimi në Kosovë, ja sa mjekë kanë marrë dozat deri më tani

· 2 min lexim

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, me anë të një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se deri më tani janë vaksinuar 100 mjekë.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit ka nisur prej mëngjesit të ditës së sotme. Dozat e para u morën mbrëmë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u vaksinua në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, e më pas zyrtarja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, infektologu Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi.

Kryeministri Kurti pas marrjes së vaksinës tha se me këtë veprim inkurajon qytetarët e tjerë që të vaksinohen dhe se do të vijnë edhe vaksina të tjera.

Kujtojmë se pas një mungese të gjatë vaksinash, në Kosovë mbërritën  24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca, me të cilat do të niset sot vaksinimi.

Në bazë të planit të vaksinimit në fazën e parë do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat mbi 80-vjeç dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo tre për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshinë grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën antiCOVID-19