Unioni i Gazetarëve kundër rregullores së re të GJKKO-së: Kufizon median, kërkohet rishikim urgjent

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke shprehur shqetësim se dispozitat e saj vendosin kufizime të panevojshme për gazetarët dhe cenojnë lirinë e medias. Organizata i bën thirrje GJKKO-së të rishikojë menjëherë dokumentet që rregullojnë aksesin e mediave në institucion.
Në deklaratën zyrtare, UGSH i referohet vendimit nr. 49, datë 17 korrik 2026, për “Rregulloren e Brendshme për Sigurinë, Rendin, Solemnitetin dhe Rregullat e Sjelljes në Ambientet e GJKKO-së”, si dhe komentarit shoqërues prej 532 faqesh. Sipas Unionit, këto dokumente vendosin procedura të reja për akreditimin, kufizojnë numrin e gazetarëve që mund të ndjekin seancat dhe parashikojnë rregulla të reja për regjistrimet mediatike.
UGSH vlerëson se këto kufizime bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat mbrojnë zhvillimin publik të proceseve gjyqësore dhe të drejtën e informimit.
Sipas Unionit, kërkesa për autorizim paraprak e kthen aksesin e mediave nga një e drejtë në një leje administrative dhe krijon pengesa për raportimin në raste zhvillimesh të papritura. Po ashtu, mungesa e kritereve të qarta për përzgjedhjen e gazetarëve, sipas UGSH-së, i jep administratës së gjykatës diskrecion për të lejuar ose refuzuar praninë e mediave.
Në reagim ngrihen shqetësime edhe për kufizimet mbi fotografimin dhe regjistrimin, të cilat, sipas Unionit, mund të çojnë në ndalime të përgjithshme dhe krijojnë perceptimin se media trajtohet si rrezik për procesin gjyqësor.
Një tjetër pikë e kritikuar është sistemi i akreditimit vjetor. UGSH e cilëson atë problematik, pasi nuk parashikon zëvendësimin e gazetarëve apo akreditime të reja gjatë vitit, çka mund të pengojë redaksitë në mbulimin e proceseve gjyqësore.
Po ashtu, Unioni thekson se në rregullore nuk parashikohet asnjë mekanizëm ankimi në rast se një gazetar ose media refuzohet të hyjë në ambientet e GJKKO-së.
Në përfundim, UGSH i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të rishikojë kapitujt që lidhen me marrëdhëniet me median dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme redaktuese. Njëkohësisht, organizata u drejtohet Bashkimit Evropian, Ambasadës së SHBA-së, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për të shmangur, sipas saj, vendosjen e praktikave që mund të cenojnë lirinë e medias.