“U vra pasi mbrojti një vajzë që po ngacmohej nga Sokrat Vata”/ Mediat portugeze sjellin një tjetër version për vrasjen e turistit 20-vjeçar në Ksamil

Mediat portugeze sjellin një tjetër version për vrasjen e 20-vjeçarit Luís Miguel Varela Mendes në Ksamil. Duke iu referuar dëshmive të miqve që ndodheshin me të riun, ato shkruajnë se turisti portugez u vra pasi ndërhyri për të mbrojtur një vajzë që po ngacmohej.
Sipas asaj që raportojnë mediat portugeze, miqtë e Luís Mendes u kanë treguar autoriteteve shqiptare se gjithçka nisi kur grupi i tyre u përball me një situatë ku një vajzë po ngacmohej në rrugë.
Ata kanë deklaruar se Luís Mendes ishte i pari që ndërhyri për të ndaluar ngacmimin, ndërsa Sokrat Vata, i dyshuari kryesor për vrasjen, thuhet se ishte pjesë e grupit që po shqetësonte vajzën.
Sipas versionit të publikuar në Portugali, ndërhyrja e 20-vjeçarit solli përplasjen mes grupit të portugezëve dhe shqiptarëve. Debati nuk përfundoi aty, por vijoi deri te radha për të hyrë në një resort në Ksamil.
Pikërisht në këtë zonë, policia shqiptare beson se ka ndodhur edhe vrasja. Luís Miguel Varela Mendes u godit me thikë në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa Sokrat Vata është i dyshuari kryesor për krimin.
Versioni i publikuar nga mediat portugeze e lidh kështu zanafillën e konfliktit me përpjekjen e 20-vjeçarit për të ndihmuar një vajzë që po ngacmohej, bazuar në dëshmitë që miqtë e viktimës pretendohet se kanë dhënë para policisë shqiptare.
Ndërkohë, trupi i Luís Mendes vazhdon të qëndrojë në Shqipëri, ku do t’i nënshtrohet autopsisë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën që çoi në vdekjen e turistit 20-vjeçar.