Apartamenti 121.980 euro i paguar cash dhe kontrata fiktive, SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD, Asllan Dogjanin

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i cili akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë në lidhje me përfitimin e një apartamenti në Tiranë.
SPAK ka kërkuar që dënimi të mund të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Çështja lidhet me mosdeklarimin e burimeve financiare të përdorura për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 128.4 metra katrorë, në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë.
Dogjani akuzohet për veprën penale të deklarimit të rremë të pasurisë, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Në deklaratën e interesave private të dorëzuar pranë ILDKPKI-së më 24 mars 2010, Dogjani kishte deklaruar se apartamentin e kishte përfituar nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Për të mbështetur këtë deklarim, ai kishte paraqitur kontratën me nr. 7030 rep. dhe 781 kol., të datës 6 dhjetor 2006. Të njëjtën kontratë kishte përdorur edhe në deklarimin e pasurisë më 16 qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Por hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah një version tjetër të përfitimit të pronës. Sipas prokurorisë, Dogjani e kishte blerë apartamentin për 121.980 euro, në bazë të një kontrate të datës 6 shtator 2006, duke ia likuiduar të gjithë shumën shoqërisë së ndërtimit përmes pagesave cash.
Nga provat dokumentare dhe dëshmitë e administruara gjatë hetimeve, rezulton se të dyja kontratat mbajnë të njëjtin numër repertori dhe koleksioni, por ndryshojnë në datë dhe në mënyrën e përfitimit të apartamentit.
SPAK pretendon se kontrata e paraqitur nga ish-deputeti është hartuar në mënyrë fiktive, me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.
Tashmë i takon gjykatës të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe të vendosë përfundimisht mbi çështjen.