“U ndava sepse ishte xheloz”, rrëfimi i Julietës para se të vritej: Kam frikë prej tij

Detaje të reja kanë dalë në dritë për marrëdhënien mes 45-vjeçares shqiptare Julieta Obzova dhe 48-vjeçarit Altin Allmuça, i cili e vrau në Nea Smyrni të Athinës dhe më pas kreu vetëvrasje. Para krimit, viktima i kishte rrëfyer motrës së saj se ishte ndarë nga Allmuça për shkak të xhelozisë së tij dhe se kishte frikë prej tij.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, Julieta i kishte treguar motrës se 48-vjeçari vazhdonte të këmbëngulte për të vijuar lidhjen, pavarësisht se ajo ishte ndarë prej tij.
“U ndava sepse ishte xheloz”, i kishte rrëfyer ajo motrës, ndërsa kishte shprehur edhe frikën që ndiente ndaj ish-partnerit: “Kam frikë prej tij”.
Natën kur ndodhi vrasja, 45-vjeçarja ndodhej e vetme në banesën e saj në Nea Smyrni. Vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte shkuar në Agrinio së bashku me xhaxhain e saj.
Altin Allmuça shkoi në banesën e ish-partneres, ku e vrau 45-vjeçaren dhe më pas i dha fund jetës. Dëshmia e motrës nxjerr në pah frikën që Julieta kishte shprehur për 48-vjeçarin përpara krimit dhe këmbënguljen e tij për të vazhduar marrëdhënien pas ndarjes.