Ditën e sotme detaje të reja janë zbardhur nga vdekja e 34 vjeçarit, Indrit Ndoj i cili u gjet i pajetë nga familjarët e tij në kanalin e një rruge të Fushë-Krujës.
Sipas rezultateve të autopsisë, Ndoj është goditur me kaçavidë dhe jo me armë zjarri. Dinamika e ngjarjes shpjegohet me përplasjen fizike mes autorit që është në kërkim dhe Indrit Ndojit. Autori e ka goditur 34 vjeçarin me kaçavidë në kofshën e majtë, duke i dëmtuar arterien femorale, gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen për shkak të hemorragjisë. Mësohet gjithashtu se viktima ka qenë edhe nën efektin e lëndëve narkotike.
Ndërkohë policia ende vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorit të paidentifikuar ende.
Kujtojmë se një 34-vjeçar është gjendur i vrarë mëngjesin e djeshëm në zonën e Fushë Krujës. Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Indrit Ndoj, trupi i pajetë i të cilit është gjetur i hedhur në një kanal. Trupi i viktimës u konstatua nga familjarët e tij. Sipas të dhënave nga vendngjarja Ndoj kur është gjetur nga familjarët ka pasur këmbë një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, si dhe dëmtime në pjesë të tjera të trupit.
Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor dhe të dhënave paraprake nga autoritetet, policia dyshon se 34-vjeçari është qëlluar me armë zjarri në këmbë, jo në vendin ku u gjet trupi, por në një vend tjetër dhe më pas është hedhur në kanal.
Dyshimet në lidhje me këtë alibi shtohen pasi mësohet se Ndoj ka qenë duke lëvizur me biçikletë, por në vendin ku u gjet trupi nuk është gjetur biçikleta. Po ashtu në kanalin ku u gjet trupi i pajetë i viktimës, policia nuk ka konstatuar asnjë gëzhojë të një arme zjarri.