Skip to content
Kryesore

U arrestua sot në Tiranë, Elvis Gaçaj, pjesë e klanit Duka dhe i dyshuar për vrasje

· 1 min lexim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Elvis Gaçajn, një person me precedentë penalë, i cili qarkullonte me armë zjarri. Bashkë me të është arrestuar edhe Marsel Dobi, për moskallëzim krimi.

Elvis Gaçaj është një emër i njohur për drejtësinë, i përfshirë në raste të mëparshme si armëmbajtje pa leje, lëndë narkotike dhe vjedhje me dhunë.

Ai është konsideruar si pjesë e klanit kriminal “Duka” dhe më herët ka qenë i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Santiago Malkos. Në lidhje me këtë ngjarje, Gaçaj u arrestua në Durrës në vitin 2019.

Ky nuk është kontakti i parë i tij me drejtësinë. Në prill 2018, Gaçaj dhe Leonard Duka u kapën në një apartament pranë shkollës “Partizani”, ku u gjetën një pistoletë dhe lëndë narkotike. Gjykata vendosi asokohe masën “arrest shtëpie” për të dy të dyshuarit.

Emri i Elvis Gaçaj lidhet edhe me një atentat të ndodhur më 1 tetor 2015, ku dy persona humbën jetën, ndërsa Gaçaj mbijetoi.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e tij në aktivitete të tjera kriminale.