Skip to content
Politikë

Tym i zi del nga tarraca e Bashkisë së Tiranës, çfarë po digjet

· 2 min lexim

Një tym i zi është vërejtur që po del nga tarraca e Bashkisë së Tiranës që prej orëve të mëngjesit. Ende nuk është e qartë nëse ka shpërthyer një zjarr brenda institucioni, apo çfarë ka shpërthyer që ka shkaktuar tym të tillë.

Kjo ndodh në një kohë kur situata në Bashkinë e Tiranës ka qenë e tensionuar pas arrestimit të kryetarit, Erion Veliaj. Ai u arrestua më 10 shkurt në zyrën e tij, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimin e produkteve të veprës penale”.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është lënë nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”. Sipas informacionit nga SPAK, hetimi ka treguar se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë krijuar dhe operuar një mekanizëm për të siguruar përfitime të paligjshme nga fondet publike të administruara nga Bashkia e Tiranës. Ky aktivitet kishte si qëllim pasurimin personal të familjes Veliaj përmes veprimeve të fshehura dhe të paligjshme.

Përkohësisht, drejtimi i Bashkisë është marrë nga nënkryetarja Anuela Ristani, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të angazhohet edhe personalisht në çështjet e administratës së Bashkisë së Tiranës.