Ndonëse turizmi shihet si motori i ekonomisë së vendit tonë, duket se ai ka shumë probleme dhe goditja që ka marrë nga pandemia ka qenë vendimtare.
Turizmi në vendin tonë mbulon 1/5 e ekonomisë dhe ka një peshë prej 22% në GDP, por pandemia e koronavirusit i dha një goditje shumë të madhe. Respektimi i masave të protokollit të ruajtjes së sigurisë, ulja e kapaciteteve të bizneseve, hapja me vonesë e këtij sektori, mungesa e turistëve të huaj dhe mungesa e investimeve dhe përkrahjes nga shteti dhe Ministria e Turizmit janë vetëm disa arsyet se përse ky sektor e ka shumë të vështirë mbijetesën këtë vit.
Nëse një vit më parë në Himarë nuk gjeje vend për të qëndruar, pandemia, ka bërë të kundërtën. Jugu është një nga zonat më të frekuentuara si nga shqiptarët por edhe të huajt, por ky sezon do të jetë ndryshe.
Duke folur për Report Tv pronarët e hoteleve e restoranteve thanë se po punojnë me 50 për qind të kapaciteteve.
“As sa gjysma e punës që kemi patur vjet. Biznesi po shpreson të punojë të paktën një muaj. Baret e restorantet janë bosh! Plazhet bosh! Punojmë vetëm në fundjavë me pushuesit vendas. Vitet e kaluara s’ka krahasim me këtë vit. Këtu në Himarë, 70 për qind kane qenë turiste të huaj”, tha pronari i një restoranti.
Shqetësimi më i madh për operatorët e turistike është mungesa e turistëve të huaj, pasi ata sillnin të ardhurat kryesore.
“Nuk ka të huaj, mund të takosh shumë rrallë, vitet e kaluara kemi pasur shumë më shumë punë se këtë vit”, thotë një nga menaxherët e restoranteve.
“Situata është e vështirë, klientela është më pak se gjysma, klientela e huaj thuajse nuk ekziston fare”, është shprehur një tjetër.
Nga veriu në jug, ky sektor tashmë ka si synim vetëm mbijetesën, teksa politikat e qeverisë duket se po ia vështirësojnë edhe më shumë këtë gjë.Fakt mbetet që turizmi këtë vit do të punojë me kapacitet të reduktuar, çmimet mund të ulen por përsëri familjet nuk do të kenë mundësi të pushojnë.Askush këtë vit nuk mendon që të sigurojë fitime nga turizmi por thjesht të mbijetojë dhe të ketë sa më pak humbje.Skenarët e mundshëm për turizëm këtë vit janë: Turizmi i brendshëm, turizmi rajonal dhe ai pa kufizime.
Rritja e rasteve mund të bëjë që edhe pas datës 15 që Komisioni Europian të mos marrë një vendim pozitiv për hapjen e kufijve për shtetasit shqiptare. Deri më tani mund të lëvizet lehtësisht dhe pa asnjë pengesë vetëm drejt Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa drejt Malit të Zi shtetasve shqiptar u duhet testi negativ i koronavirus.Ndërkohë shtetasit e huaj nuk kanë asnjë pengesë për të hyrë në vendin tonë.