Tragjedia në Qipro/ Fundosja e tragetit me 267 persona në bord: 8 viktima, 18 të zhdukur

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së një trageti pasagjerësh në brigjet e Qipros. Në bordin e anijes ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Sipas autoriteteve, trageti ishte nisur nga qyteti bregdetar i Kyrenias të dielën, rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, kur pak pas nisjes filloi të merrte ujë. Anija më pas u përmbys dhe u fundos, duke shkaktuar një operacion të gjerë emergjence.
Shumica e personave që ndodheshin në bord janë shpëtuar, ndërsa kërkimet për 18 personat që rezultojnë ende të zhdukur vijojnë. Në operacionin e kërkim-shpëtimit po bashkëpunojnë edhe autoritetet turke, ndërsa në zonë janë angazhuar helikopterë dhe anije të rojes bregdetare. Ambulanca janë vendosur gjithashtu në breg për të pritur të mbijetuarit.
Kapiteni i tragetit dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit janë ndaluar nga autoritetet. Paralelisht ka nisur hetimi për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që çuan në fundosjen e anijes.
Autoritetet po përpiqen gjithashtu të rikuperojnë regjistruesin e të dhënave të anijes, të njohur si “kutia e zezë”, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e dinamikës dhe shkaqeve të tragjedisë.