Skip to content
Të Gjitha

Tjetër parashikim i zymtë për ekonominë shqiptare/ Ja sa parashikohet rënia në 2020-ën sipas Institutit të Vjenës

· 3 min lexim

Viti 2020 do të jetë një tjetër vit i vështirë për Shqipërinë që do të mbyllet me një bilanc “të zi” për rritjen ekonomike.

Parashikimin e zymtë të radhës e ka bërë “Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare”, sipas të cilit rimëkëmbja e ekonomive të Evropës Lindore ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të jetë e ngadaltë dhe do të varet nga suksesi në menaxhimin e pandemisë, pa aplikuar masat bllokuese.

Në parashikimet e reja Instituti i Vjenës raporton se, ekonomia e Shqipërisë do të shënojë rënie me 6.4% nga -5%, që ishin parashikimet e majit 2020.

Por lajmi i mirë në këtë mes është se, Instituti ka rritur pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë në vitin 2021 me 0.8 pikë përqindje. Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e vendit do të rritet me 4.6% vitin që vjen.

Rajoni

Në Rajon rënien më të madhe të ekonomisë pritet ta ketë  Mali i Zi me 9% për shkak të varësisë së lartë nga turizmit. Pas Malit të Zi, e dyta në rajon për thellësinë e rënies është Shqipëria dhe më pas Maqedonia. Më butë do të jetë rënia për Serbinë, pasi ekspertët e Vjenës parashikojnë një tkurrje me 2%.

Ekspertët e Vjenës analizojnë se shumica e ekonomive në Europën Lindore i rezistoi valës së parë të pandemisë më mirë sesa Evropa Perëndimore, por shumë ekonomi në rajon si Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria, i ndjenë më shumë pasojat për shkak ekspozimit të lartë ndaj sektorit të turizmit.

Mirëpo vala e dytë përshpejtuese e pandemisë, solli rivendosjen e bllokimeve, të cilat mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm, duke e bërë të sigurt tashmë rënien e thellë.

E ardhmja e pasigurt

Ekonomistët e Vjenës besojnë se, perspektiva afatmesme është jashtëzakonisht e pasigurt. Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 4.5% këtë vit, rajoni duhet të rritet me 3.1% në 2021 dhe me 3.3% në 2022.

Në këtë skenar vetëm Lituania, Serbia dhe Turqia, do të arrijnë nivelet e 2019-s para vitit 2022, ndërsa Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria, do të duan më shumë kohë.

Përveç potencialit për bllokime më të rrepta në muajt e dimrit, pandemia do të lërë pasoja afatgjata në konsum, duke i çuar në depresion disa shërbime, të tilla si aviacioni, hotelet dhe rekreacioni.

Instituti i Vjenës këshilloi se, mbështetjet e mëtejshme nga qeveritë janë të nevojshme në të gjithë rajonin.

Pas heqjes së masave bllokuese në 3-mujorin e tretë, tregtia me pakicë u rrit e nxitur nga blerjet e munguara gjatë bllokimit, dhe zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit rifilluan funksionimin.

Vala e dytë e pandemisë, e cila filloi në shumë vende të CESEE në shtator, ka ngritur shqetësime mbi aftësinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor për të përballuar numrin në rritje të shtrimeve në spital.

Në skenarin bazë, i cili supozon se një vaksinë do të frenojë pandeminë pa nevojën e bllokimeve të gjata, ekonomitë e CESEE parashikohet të rriten mesatarisht me 3.1% në 2021 dhe 3.3% në 2022.

/Burimi: Monitor.al/ GazetaReforma.com/