Skip to content
Kryesore

Florjan Binaj konfirmon kandidimin për Tiranën më 9 maj: “Jam i pavarur, i kam shtrirë dorën gjithë partive opozitare”

· 1 min lexim

Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit, duke deklaruar se do të garojë si kandidat i pavarur dhe se u ka ofruar bashkëpunim të gjitha partive opozitare.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Binaj theksoi se mbetet në të njëjtin qëndrim që kishte shprehur në nëntorin e kaluar, kur zgjedhjet u anuluan.

Ai bëri të ditur se synon të krijojë një bashkëpunim të gjerë mes forcave opozitare, të cilat, sipas tij, ndajnë të njëjtin objektiv, pavarësisht dallimeve në mënyrat për ta arritur atë.

“E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet. Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi Binaj.

Me këtë konfirmim, Binaj zyrtarizon synimin për të hyrë në garën për drejtimin e kryeqytetit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse partitë opozitare do të bashkohen rreth kandidaturës së tij.