Skip to content
Të Gjitha

Tjetër paralajmërim për Ramën nga Gjermania: Mos e prish ‘5 qershorin’ për të favorizuar veten

· 2 min lexim

Një tjetër zë i rëndësishëm në Bundestagun gjerman kundërshton synimet e kryeministrit Edi Rama për të votuar më 30 korrik ndryshimet kushtetuese që lidhen me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Christian Schmidt, reporter për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU, i konsideron këto veprime si përpjekje të Partisë Socialiste për favorizuar veten.

“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten?

Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to.

Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan deputeti gjerman.

Është Bundestagu gjerman që vendos nëse Shqipëria do të hapë zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian dhe kusht kryesor është vendosur reforma zgjedhore, e cila u miratua më 24 korrik. Por përpjekjet e kryeministrit Rama për listat dhe koalicionet nuk janë mbështetur nga opozita parlamentare, e cila paralajmëron se mazhoranca po shkatërron marrëveshjen e 5 qershorit.