Skip to content
Aktualitet

Thirrja e fortë e mjekut: Mos i hutoni njerëzit me maskën! Duhen 3 hapa për kontrollin e Covid-19

· 2 min lexim

Mjeku i njohur, Erion Dasho, i bën sërish thirrje qeverisë të mos e ketë vëmendjen tek maskat, që sipas tij nuk luajnë asnjë rol në mbajtjen nën kontroll të Covid-19.

Ai bën thirrje që fokusi të jetë tek testimi-gjurmimi-trajtimi i këtij virusi, dhe të mos hidhet e gjithë vëmendja tek mbajtja apo jo e maskës duke çorioentuar qytetarët.

Mesazhi i mjekut Erion Dasho:

Sërish një thirrje për politikën! Ju lutem mos i ç’orientoni qytetarët me historinë e maskave në publik!!!

Askush nuk mund të kontrollojë COVID-19 vetëm me maska, edhe sikur 100% e popullsisë të përdorë maskën! Nuk e bën dot këtë as për 6 javë, as për më gjatë!

E pamundur!

Po përmend vetëm dy arsye, njëra objektive dhe tjetra subjektive:

  1. Pjesa më e madhe e qytetarëve mbajnë maska artizanale që ofrojnë mbrojtje në kufijtë e 30%. Asnjë vend nuk ka arritur dot t’u mundësojë qytetarëve furnizim me maska kirurgjikale apo FFP në sasi të mjaftueshme! Një maskë kirurgjikale në 4 orë ose një maskë FFP në ditë për çdo qytetar, është thjesht një mision i pamundur!
  2. Jo të gjithë qytetarët kanë njohuri apo mundësi t’i përdorin maskat në mënyrë korrekte! Dikush i mban ato nën mjekër, dikush nuk ka mundësi t’i lajë çdo ditë, dikush e prek maskën me duar të ndotura, etj. Përsëri, asnjë vend sado të edukuar t’i ketë qytetarët, nuk arrin dot që 100% e tyre të sillen si një kirurg në sallën e operacionit!

Gjithmonë kam dhënë shembullin e Gjermanisë! Nuk ka popullatë më të bindur që e respekton më tepër rregullin e mbajtjes së maskës! Sërish numrat janë në rritje! Gjithë popullsia mban maskë, por shteti paralelisht teston, gjurmon dhe trajton! Nuk e ka lënë epideminë në mëshirën e maskave!!!

Edhe njëherë!

Mos premtoni diçka që nuk mund të arrihet!

Investoni në trinomin: testo-gjurmo-trajto!

Mbroni jetën dhe shëndetin e qytetarëve!!!

/GazetaReforma.com/