Skip to content
Kryesore

Tensione te shkolla ‘Sami Frashëri’, shpallen të pavlefshme disa fletë votimi

· 1 min lexim

Një incident është raportuar në KZAZ nr. 40, në ambientet e shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, ku procesi i numërimit është shoqëruar me tensione.

Partia “Mundësia” ka reaguar publikisht, duke akuzuar se po tentohet shpallja e pavlefshme e 6 fletëve të saj të votimit, ndonëse ato mbajnë të dy vulat e komisionit zgjedhor.

Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, arsyeja që po jepet është se fletët kanë “ngjyrë të zbehtë”një pretendim që e konsiderojnë absurd dhe të papranueshëm.

Si reagim ndaj këtij zhvillimi, Partia “Mundësia” njoftoi se ka informuar menjëherë kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, si dhe misionin e vëzhguesve të ODIHR-it.

Ndërkohë, drejt qendrës së numërimit është nisur edhe kreu i partisë, Agron Shehaj.

Tensioni është shtuar më tej, pasi forcat e policisë kanë ndërhyrë për të larguar nga ambientet e numërimit vëzhguesit, gazetarët dhe operatorët, një veprim që bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe ka ngritur shqetësime për transparencën e procesit.