TEC-i i Korçës, kryebashkiaku me letër publike: “Mos e aprovoni”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo përmes një letre drejtuar ministrit të Mjedistit, Blendi Klosi dhe ministres së Energjitikës, Belinda Balluku, ka shprehur publikisht qëndrimin e tij kundër ndërtimit të TEC-it në Korçë.

Në letër, ai kërkon refuzimin e kërkesës së kompanisë GPP për ndërtimin e një TEC me gaz në afërsi të qytetit të Korçës.

“Ju kërkoj të mos aprovoni vlerësimin e ndikimit në mjedis pasi investitorët nuk kanë paraqitur asnjë garanci për një bilanc pozitiv të ndotjes. Projekti është shumë afër qytetit dhe në toka të frytshme bujqësore. Qendrimi kundër i Bashkisë së Korçës ka qenë i qartë dhe konsistent që në raportin e pregatitur për KIS në dt 5.12.2017 ku Bashkia Korçë është shprehur JO me arsyetimin e afërsisë me qytetin. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e cila ka theksuar se ky projekt cënon funksionalitetin e Fushës së Korçës nga fshati Barc deri në Zemblak. Në këto kushte, ju kërkoj mosaprovimin e këtij investimi, i cili në çdo rast nuk do të mund të realizohet dot në kundërshtim me vullnetin e Bashkisë së Korçës”-thuhet në letrën e kryebashkiakut Filo.

Projekti, që u njoftua pak kohë më parë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka marrë statusin e investitorit strategjik me kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Projekti parashikon realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/këh me kapacitet 480.9 MW.

Sipas projektit, synimi është që të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.

Dhjetëra banorë të fshatit Sheqeras, në Korçë, kanë protestuar më herët pasi kundërshtojnë ndërtimin e TEC-it në fshatin e tyre. Banorët u shprehen se janë kundër projekt ligjit të qeverisë për ndërtimin e TEC-it në zonën e tyre, pasi ndërtimi i tij do të kthejë zonën në një hapësirë të pabanueshme.

Shpërndaje
Share.

Komento