Vrasja e Arlindës trondit Kosovën, seancë e jashtëzakonshme! Kurti kërkon llogari: Paralajmëroi shtetin se do ta vrisnin, por nuk u mbrojt!

Vrasja e Arlinda Zekajt, e cila paralajmëroi shtetin se jeta e saj ishte në rrezik, ka çuar në mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe llogaridhënie nga Prokuroria dhe zyrtarët përgjegjës për mënyrën se si u trajtuan denoncimet e 49-vjeçares.
Arlinda u vra më 25 tetor në Pejë, vetëm tre ditë pasi i kishte dërguar një letër Prokurorisë, ku kërkonte mbrojtje dhe paralajmëronte se mund t’i merrej jeta.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kurti e cilësoi ngjarjen tronditëse dhe kërkoi zbardhjen e çdo neglizhence apo mosveprimi të mundshëm institucional.
“Arlinda Zekaj u vra dje, vrasja mizore është tejet tronditëse për të gjithë ne. Tri ditë para se të vritej Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë, duke paralajmëruar për rrezikun e jetës së saj, këto rrethana kërkojnë hetim të plotë dhe të menjëhershëm, ndërkohë që dorasi është në arrati.
Pra ende nuk është arrestuar… Prokuroria dhe përgjegjësit duhet të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e saj, pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk është parandaluar me masa mbrojtëse dhe nëse ka pasur neglizhencë ose mosveprim nga ana e zyrtarëve përgjegjës, çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi duhet të trajtohet sipas ligjeve…”, deklaroi Kurti.
Nga kërkesa për mbrojtje te vrasja brenda pak minutash
Arlinda kishte një urdhër gjyqësor mbrojtjeje dhe kishte denoncuar vazhdimisht rrezikun që i kanosej. Sipas dokumenteve të publikuara, vetëm tre ditë përpara vrasjes, autoritetet kishin vlerësuar se qëndrimi i saj në banesë nuk ishte i sigurt.
Megjithatë, mbrëmjen e 25 tetorit, policia e shoqëroi sërish në atë banesë. Rreth 12 minuta më vonë, autoritetet u njoftuan se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Për krimin dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ende nuk ishte arrestuar në momentin e deklaratës së Kurtit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar raport të detajuar mbi trajtimin e rastit, ndërsa po kërkohet edhe verifikimi i veprimeve të policisë.
Arlinda kërkoi mbrojtje sa ishte gjallë. Sot, pas vrasjes së saj, institucionet duhet të japin përgjigje përse paralajmërimet nuk arritën të parandalonin tragjedinë.