Taulant Balla: Ai që pengon zgjedhjet shkon në burg

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në seancën e sotme në Kuvend  për shkarkimin e presidentit Meta, ai që ka mbajtur fjalën e tij ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Ai ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Balla tha nga foltorja se nuk ka për të ndodhur asnjë ç’dekretim për zgjedhjet, duke argumentuar se vendimi i Metës është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën.

“Me ligj Presidenti është jashtë procesit zgjedhor, sepse ai nuk ka asnjë lidhje as me dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve as për ç’dekretimin e tyre. Kjo mund të bëhet vetëm përmes nevojave dhe pengesave ligjore dhe asnjëherë për nevoja apo pengesa politike.

Vetëm caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit, ndërkohë ç’dekretimi i tyre është një akt i paprecedentë. Dekreti i datës 10 Qershor nga Ilir Meta është jashtë çdo kriteri dhe kompetence”, tha ndër të tjera Balla.

Sipas Ballës, pengimi i të drejtës së një subjekti zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhje është një shkelje ligjore dhe kushtetuese e cila sipas tij dënohet deri në 5 vite burg.

Sa i përket vendimit të KQZ për mosnjohjen e dekretit të Presidentit, Balla tha se nëse KQZ do të pranonte të zbatonte dekretin, kjo e ngarkon atë me vepër penale e cila dënohet nga heqja nga vendi i punës me procedim penal.

Shpërndaje
Share.

Komento