Targat me chip/ Lleshaj njofton nisjen e pilotimeve të projektit, DPSHTRR “ngre supet”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një interviste për mediat, njoftoi projektin e ri të targave me chip.

Sipas Lleshajt, projekti ka filluar të pilotohet në Tiranë dhe Durrës.

Ndër të tjera ministri shtoi, se kjo nismë ka si qëllim, eleminimin e mundësisë së përdorimit të mjeteve të vjedhura, për të kryer krime.

“Këtë vit duam të fusim targat inteligjente, targa teknologjike që nuk mund të hiqen, po fillojmë të pilotojmë një teknologji që bazohet në targat me çip, me 3 targa, dy jashtë dhe një brenda që edhe nëse hiqen targat brneda, kjo brenda nuk mund të hiqet kurrë. Kjo parandalon këmbimin apo ndërrimin e targave. Do të ketë një sensor që nëse do të ketë një rast të tillë të alertohet. Në Tiranë dhe Durrës po pilotohet kjo me qëllim që ta heqim mundësinë e përdorimit të mjeteve të vjedhura për kryerjen e krimeve. Në krimet e kësaj natyre në Shqipëri janë përdorur mjete që vidhen apo ndërrohen targa dhe digjen”, tha Leshaj.

Pas njoftimit të bërë nga Leshaj, GazetaReforma.com kontaktoi Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për të mësuar më shumë rreth këtij projekti.

Gazeta Reforma u interesua për të marrë më shumë informacion, për disa pikëpyetje të këtij projekti, ku një ndër to ishte edhe ndikimi që do të ketë në xhepat e drejtuesve të mjeteve.

Ministria e Brendshme nuk denjoi t’i përgjigjej emailit zyrtar të GazetaReforma.com, duke na lënë me dyshime.

DPSHTRR nga ana tjetër reagoi duke sqaruar disa nga shqetësimet tona, por nuk përmendi në asnjë moment nisjen e një projekti pilot, siç tha Lleshaj në intervistë.

Drejtoria e Rrugëve sqaron se për targat e cilësisë së fundit, të cilat janë siguruar deri në vitin 2023, nuk do të ketë rritje kostosh për qytetarët.

Reagimi i DPSHTRR

Përshëndetje,

DPSHTRR është enti i vetëm zyrtar, i ngarkuar me aktet ligjore në fuqi, që administron furnizimin, prodhimin dhe shpërndarjen e Targave si edhe regjistrimin e mjeteve në Regjistrin Kombëtar Informatik të Mjeteve! Po ashtu DPSHTRR administron edhe Sistemin Operativ eDPSHTRR, i cili po implementon UPGRADE 100% , investim strategjik i vitit 2019, ku përditësohen programet dhe pajisjet për vitet 2020-2030! Targat shqiptare, aktualisht modeli më i fundit, me 15 elemente sigurie, ndër të cilët përmendim barkodin unik progresiv, hologramin me simbole kombëtare e sekrete, VST dhe materialin ekologjik (Chrome Free), jane furnizuar si sasi deri për Janarin e vitit 2023, për mbulimin e nevojave të regjistrimeve të reja. Cilësia e modelit më të fundit garantohet pa rritur tarifat ekzistuese për qytetarët!
DPSHTRR nuk ka as dijeni dhe as ka në plan apo projekt për asnjë model tjetër targe, ndryshe nga informacioni i sipërpërmendur!

Aktualisht modeli i targave me chip është implementuar në Azerbaixhan, Kinë, Dubai dhe SHBA, por ka pasur shumë kontestime për shkak të shkeljes së privatësisë.

Targat me chip prekin drejtpërdrejtë privatësinë e njerëzve.

Barkodi që ato përmbajnë regjistrohet dhe në këtë mënyrë merren të gjitha të dhënat e pronarit të mjetit dhe ai kontrollohet në çdo hap.

Në Europë ka pasur shumë kontestime dhe targat me chip nuk përdoren në asnjë shtet.

Përsa i përket Amerikës, ligjet për privatësinë janë shumë të rrepta dhe vështirë se zbulohen të dhënat e qytetarëve.

Shqipëria ndërkohë është një vend i vogël dhe nuk është gati të implementojë këtë lloj teknologjie.

Shpërndaje
Share.

Komento