‘ The Washington Post’ shkruan se kreu i shtetit kosovar Hashim Thaçi, i ka drejtuar një apel të pazakontë e të drejtpërdrejtë liderëve serbë dhe kosovarë, pasi 10 vjet armiqësi kërcënojnë të mbërrijnë pikën e vlimit dhe në një kohë kur administrata e tij ndjek një kanal të fshehtë për të zbutur tensionin me Beogradin e mbështetur nga Moska.
Sipas gazetës prestigjoze, Thaçi zhvilloi një udhëtim diplomatik në Berlin muajin e kaluar, i cili nuk u bë publik, ku ai u takua me ambasadorin e SHBA, Richard Grenell, një njeri i besuar i Trump.
Duket se Thaçi është zotuar të ndryshojë kursin për tarifat ndëshkuese të vendosura mbi të gjitha mallrat serbe. Në një prononcim për Washington Post të premten, të kryer në gjuhën angleze përmes email-it, Thaçi është shprehur i gatshëm të shqyrtojë heqjen e tarifave, nëse Kosovës i hapet rruga e arritjes së një Marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Serbinë.
Por Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala deklaroi se Thaçi nuk mund të bëjë premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë, sepse siç deklaroi ai, taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo Presidenti.
Shala tha per mediat vendase se përsa kohë nuk eliminohen arsyet që e shtynë Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë një hap të tillë, taksa nuk hiqet.