Ashtu si shumë probleme të tjera të shëndetit publik, nuk ekziston një masë e vetme që të kontrollojë dhe luftojë COVID-in. Të gjitha vendet e suksesshme dhe qeveritë e përgjegjshme kanë ndërtuar programe dhe strategji në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Këto përvoja të suksesshme treguan se parandalimi u arrit vetëm në ato vende ku u ndërthuren testime masive, burimet shkencore të informacionit dhe mendimi i kualifikuar mjekësor nga te gjithë nivelet e sistemit shëndetesor.
Në fillimet e epidemisë, qeveria jonë hartoi një strategji fillestare të cilën e mori me copy-paste. E vetmja masë e kësaj strategjie ishte izolimi total i vendit, me kosto jo të vogël për të gjithë qytetarët. Për pasojë, kjo e ashtuquajtur strategji, me shumë demtoi se sa ndihmoi shëndetin e qytetarëve dhe jetën e tyre sociale, ndërsa shkatërroi ekonominë e vendit.
Ndonëse kaluan dy muaj në izolim, nuk u arrit të hartohej një strategji funksionale për fazat e hapjes së vendit. Numri shumë i ulët i testimeve të bëra, coi në mosnjohjen e situates epidemike për transmetimin e virusit.
Protokollet e pakta të hartuara, u kopjuan nga protokollet e vjetra kineze. Madje edhe këto protokolle kineze nuk u zbatuan siç duhet dhe nuk arritën të kontrollonin epideminë as në spitale apo institucione shtetërore, të cilat u kthyen në vatra të përhapjes së infeksionit.
Inspektorët që kontrollonin zbatimin e protokolleve, kërkonin mbylljen e fasonerive, si vatra të përhapjes së infeksionit, kërkonin vendosjen e gjobave ndaj bizneseve për mungesën e maskës, ndërkohë që me maska dhe mjetet e tjera mbrojtese nuk u pajis personeli mjekësor që do fillonte të kryente detyrën e mohuar prej 2 muajsh.
Ajo çfarë po ndodh këto javë me epideminë është pikërisht pasojë e mungesës së strategjisë së hapjes, e cila duhej të ishte hartuar nga ekspertët e vërtetë të fushës.
Epidemia e COVID nuk mund të kontrollohet vetëm me masat e larjes së duarve, tështitjes në bërryl dhe testimeve (të pamjaftueshme) që janë bërë gjatë këtyre muajve.
Rritja e numrit të të infektuarve jashtë çdo parashikimi, e ka bazën tek çudia shqiptare lidhur me infektimin e personelit mjekësor, 2 muaj mbas fillimit të epidemisë. Me gjithë situatën e vështirë të pranuar nga vetë ekspertët e Komitetit, përsëri nuk u vu në shfrytëzim me kapacitete të plota (nëse kapaciteti prej 600 testesh në 24 orë është i vërtetë), i vetmi laborator në vend dhe të rritej numri i testimeve në të gjithë vendin.
Mospajisja me mjetet e duhura mbrojtese, e ktheu QSUT në qendrën më të madhe të infeksionit dhe njëkohësisht ndihmoi në përhapjen me shpejtësi dhe krijimin e vatrave të reja infektive në të gjithë Shqipërinë.
Përsa i përket qytetarëve, në vend të sigurisë dhe shendetit, në vend të kulturës së domosdoshme dhe bindjes për zbatimin e rregullave, iu ofrua vetëm ankthi dhe frika nga kjo epidemi.
Në këto kushte, anëtarët e përgjegjshëm të Komitetit të eksperteve e kanë braktisur atë, duke deklaruar se kjo strukturë nuk është vendim-marrëse, ndryshe nga sa kishte deklaruar deri tani Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në kushtet kur kanë dështuar në përgjigjen ndaj COVID, kur Shqipërisë i janë mbyllur dyert e Europës, kur numri i rasteve sa vjen e rritet, kur shqiptaëet po kalojnë një verë në ankth, ekipit përgjegjës për këtë dështim nuk u ka mbetur gjë tjetër veç dorëheqjes, duke u kërkuar edhe falje shqiptarëve. Është koha që situatën ta marrin në dorë ekspertët e vërtetë, si e vetmja mënyrë për të shmangur disfatën e rëndë shëndetësore dhe ekonomike.
SHËNIM: Ky opinion u shkrua nga një ekspert brenda sistemit shëndetësor që kërkon të mbetet anonim.
Marrë nga DOSJA.AL