Skip to content
Kryesore

Strategjia e harresës: Si mediat po “varrosin” të vërtetën e Luis Meçajt

· 4 min lexim

Ka një mënyrë më efektive se përgënjeshtrimi për të mbuluar të vërtetën – heshtja. Dhe askush nuk e di këtë më mirë se mediat shqiptare, të cilat po luajnë një rol kyç në “varrosjen” e së vërtetës për vrasjen e Martin Canit dhe dëshminë e Luis Meçajt.

Pavarësisht se Luisi, i plagosur katër herë me thikë, këmbëngul në dëshminë për dy autorë, mediat kanë zgjedhur rrugë që të çojnë në të njëjtin destinacion – mbytjen e së vërtetës. Mediat proqeveritare po dezinformojnë ose po i japin gjithnjë e më pak vëmendje çështjes, duke e lënë gradualisht të zhytet në harresë. Një pjesë e mediave opozitare, në vend të kërkimit të së vërtetës, po e përdorin tragjedinë si mjet për të sulmuar qeverinë.

Kur Luisi hapi një GoFundMe për të përballuar shpenzimet mjekësore, reagimet ishin të ndryshme. Disa media i dhanë hapësirë thirrjes së tij për ndihmë, të tjera zgjodhën të mos e përmendnin fare, ndërsa një pjesë tjetër nxituan të publikonin deklaratën e Spitalit të Traumës se “nuk ka nevojë për shërbime shtesë”, pavarësisht nevojës së dukshme për trajtim psikologjik dhe fizioterapi.

Krimi i organizuar, i futur thellë në media përmes pronësisë së fshehtë dhe reklamave shtetërore, diktoi narrativën që i shërbente interesave të pushtetit. Mediat klienteliste u vunë në shërbim të strategjisë së harresës. Mediat e kontrolluara nga qeveria po kalojnë nga sulmi tek heshtja. Mediat e varura nga reklamat “harruan” të bënin pyetje për ekspertizën mjeko-ligjore që mungon.

Kjo nuk është hera e parë. E njëjta media që “varrosi” mbetjet toksike, që “harroi” inceneratorët, që la në heshtje vjedhjen e zgjedhjeve apo shumë afera të tjera si këto, sot po përsërit të njëjtën skemë. Fillimisht sulmi për të diskredituar dëshminë, pastaj heshtja për ta bërë atë të padukshme.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha e quajti dëshminë e Luisit “tymnajë” dhe “prodhim të papërgjegjshmërisë mediatike”. Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe, në vend që të kërkonte hetim për vrasjen e një të mituri, kërkon hetim për mediat që raportojnë versionin e Luisit, duke e quajtur “rast model dezinformimi”.

Në këtë makineri të koordinuar harrese, çdo institucion luan rolin e vet. Policia fshihet pas “sekretit hetimor”. Prokuroria vonon thirrjen e ekspertit. SPAK, me dy zyrtarë në konflikt interesi, hesht. Por mediat janë instrumenti kryesor i kësaj strategjie – duke qenë njëkohësisht edhe megafoni i heshtjes, edhe zëdhënësi i propagandës.

Ndërkohë që politika përgatitet për zgjedhje, mediat vazhdojnë të luajnë rolin e tyre në këtë lojë të pistë pushteti. Disa duke heshtur, të tjera duke shtrembëruar. Por të gjitha duke i shërbyer të njëjtit qëllim – të mos lejohet e vërteta e një 14-vjeçari të rrezikojë pushtetin e askujt.

Pas 21 janarit të përgjakshëm, ku qeveria tregoi se jeta e qytetarëve nuk kishte asnjë vlerë përballë interesave politike, sot po përjetojmë të njëjtën mizori – një pushtet që nuk i intereson as jeta e një fëmije.

Por për Luis Meçajn, për familjen e Martin Canit, harresa nuk është opsion. Plagët në trup, trauma në shpirt dhe e vërteta që askush nuk do ta dëgjojë, janë po aq të dhimbshme sa ditën e parë. Ndërsa mediat presin urdhrin e radhës – të sulmojnë apo të heshtin – dy familje të thjeshta vazhdojnë të presin një drejtësi që duket se nuk do të vijë kurrë.

Kjo histori tregon edhe një herë se në Shqipërinë e vitit 2024, mediat nuk janë më zëri i së vërtetës, por instrumenti më efikas për ta vrarë atë përmes heshtjes. Dhe kjo është ndoshta forma më cinike e padrejtësisë.

/gazetareforma.com