Skip to content
Kryesore

“Standard i dyfishtë”/ Gazeta gjermane: Greqia ekstradon Ilir Shtufin, pse SHBA nuk e dorëzon Artur Shehun?

· 5 min lexim

Gazeta gjermane “Junge Welt” ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e autoriteteve amerikane ndaj biznesmenit shqiptar Artur Shehu, i kërkuar në kuadër të dosjes “Aruba” dhe emri i të cilit lidhet me tokat e shitura për projektin luksoz të Jared Kushnerit. Media gjermane e krahason rastin e tij me atë të Ilir Shtufit, ekstradimi i të cilit nga Greqia drejt Shqipërisë u miratua më 30 korrik.

Në artikull, “Junge Welt” e cilëson situatën si një “standard të dyfishtë”, duke vënë përballë shpejtësinë me të cilën vepruan autoritetet greke ndaj Shtufit dhe faktin se Shehu vazhdon të qëndrojë në Miami, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka konfirmuar nëse ka marrë një kërkesë nga Tirana për lokalizimin, ndalimin apo ekstradimin e tij.

Shehu është personi që në prill ia shiti pronat bregdetare Albania Land Development, kompanisë që qëndron pas projektit të Kushnerit. Sipas dokumenteve të cituara nga Reuters, të ardhurat prej 110 milionë eurosh u ngrinë në llogarinë e noterit përpara se paratë të arrinin tek ai. Projekti dhe çështja e pronësisë së tokave kanë qenë gjithashtu në qendër të protestave qytetare, të cilat vijojnë prej 73 ditësh.

Media gjermane ndalet te dosja hetimore prej 200 faqesh, e datës 12 qershor dhe e shqyrtuar nga Reuters. Sipas saj, SPAK akuzon Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij për kontrabandë kokaine nga Amerika e Jugut drejt porteve evropiane dhe investimin e të ardhurave në pasuri të paluajtshme. Hetuesit pretendojnë se tokat janë përfituar përmes mjeteve të paligjshme dhe dokumenteve të falsifikuara të pronësisë, duke “krijuar tituj të rremë ose duke zgjeruar artificialisht sipërfaqet e tokës”.

Në dosje nuk ka akuza ndaj Jared Kushnerit, kompanive të projektit apo investitorëve. Partneri shqiptar i Kushnerit, Sazan Real Estate Development, i ka deklaruar Newsweek se “nuk ishte objekt i ndonjë hetimi” dhe se blerjet e tokës ishin të ligjshme.

Mbrojtja e Shehut i ka hedhur poshtë akuzat. “Asgjë nga ato që janë pretenduar për karakterin e z. Shehu nuk është e vërtetë: ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh”, tha avokati Kujtim Cakrani për Reuters. Sipas tij, familja e Shehut e ka pasur tokën në pronësi që nga koha osmane dhe shitja është kryer ligjërisht. Vetë Shehu e ka cilësuar pronësinë e tij “të padiskutueshme” në një program televiziv shqiptar.

Sipas artikullit, një duzinë banorësh të Zvërnecit i kanë paraqitur Reuters titujt e tyre të pronësisë dhe dokumentet tatimore, ndërsa avokati që i përfaqëson synon të kërkojë një urdhër gjykate për ndalimin e ndërtimit.

“Junge Welt” sjell në vëmendje edhe të kaluarën e Shehut në SHBA. Sipas një hulumtimi të “Miami New Times” dhe OCCRP, ai kaloi vite duke blerë nga Florida toka bregdetare në Shqipëri. Avokati i tij ka deklaruar se në vitin 1998 Shehu kërkoi azil politik në SHBA pasi “bandat kriminale” i vranë vëllain dhe xhaxhain para syve të tij, pretendim që Reuters nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur. Ai nuk është dënuar asnjëherë. Dokumente gjyqësore të shqyrtuara nga CBS News tregojnë se që në vitin 2013 banorët e Zvërnecit kundërshtonin pretendimet e tij mbi pronat.

Ndryshe nga Shehu, Ilir Shtufi u arrestua në qershor në një hotel në Selanik, pas një informacioni nga Interpoli. Më 30 korrik, Gjykata e Apelit e Selanikut miratoi ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Shtufi, një ndërtues pallatesh të larta në Tiranë, i njohur si prestanome i Shkëlzen Berishës, pretendoi se ishte subjekt i përndjekjes politike. Ai pritet të jetë i pandehuri i parë në dosjen “Aruba” që ekstradohet nga jashtë për llogari të SPAK. Nga 20 urdhër-arreste të lëshuara, gjashtë janë ekzekutuar deri tani.

Pikërisht këtu media gjermane ngre pyetjen kryesore: përse Greqia miratoi brenda pak javësh ekstradimin e një të bashkëpandehuri, ndërsa Shehu, të cilin artikulli e përshkruan si personin kryesor të hetimit, vazhdon të jetojë në SHBA?

Cakrani ka konfirmuar se klienti i tij është në dijeni të urdhrit të arrestit dhe nuk është i shqetësuar prej tij. Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Drejtësisë nuk pranoi t’i komentonte Reuters nëse autoritetet amerikane kishin marrë një kërkesë nga Tirana për gjetjen ose ndalimin e Shehut në Miami.

“Rezultati është një standard i dyfishtë: Greqia ekstradon një të bashkëpandehur brenda shtatë javësh. SHBA-të, ku jeton i dyshuari kryesor dhe ku dhëndri i presidentit po promovon projektin, as nuk kanë nevojë të përgjigjen”, shkruan “Junge Welt”.

Gazeta ndalet gjithashtu te dimensioni politik i çështjes. Ajo shkruan se mediat në Tiranë kanë theksuar se Shehu ka shërbyer në Gardën e Republikës gjatë kohës kur Sali Berisha ishte president dhe se pronat janë blerë gjatë viteve të qeverive të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, projekti është miratuar nga qeveria aktuale e Edi Ramës, dorëheqja e të cilit kërkohet në protestat që vazhdojnë prej muajsh.

Sipas “Junge Welt”, opozita po proteston kundër resortit, ndërsa Berisha “mbetet dukshëm i heshtur” për emrin e Artur Shehut. Media gjermane e mbyll artikullin duke nënvizuar kontrastin mes zhvillimeve në Shqipëri dhe qëndrimit të biznesmenit në SHBA: “Në Tiranë, po bëhen përgatitje për marrjen e parë në pyetje. Ai në Miami nuk ka arsye të nxitohet për momentin.”