Skip to content
Kryesore

SPAK zbardh akuzat ndaj Ergys Agasit: Nga grupi kriminal te korrupsioni e pastrimi i parave

· 3 min lexim

Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi, duke zbardhur akuzat e rënda për të cilat ai po hetohet në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Sipas SPAK, Agasi u lokalizua dhe u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave, në hyrjen jugore të Durrësit, pas një pune disa javore në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Në momentin e arrestimit në autostradë, Agasi shoqërohej nga Ulian Shpataraku, ish-punonjës policie. Ky i fundit u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

SPAK bën të ditur se emri i Ergys Agasit është regjistruar në procedimin penal më 5 dhjetor 2025. Ai po hetohet për një sërë veprash penale, mes të cilave “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Agasi po hetohet gjithashtu për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Njoftimi i SPAK:

“Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi. Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për t’u ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falënderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.”, njofton SPAK.