Skip to content
Aktualitet

Sot rikthehet Kuvendi/ Nga vaksinat te hidrocentrali, ja çështjet që do të diskutohen

· 2 min lexim

Sot pritet të zhvillohet seanca e rradhës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në seancën e sotme plenare do të kalojë për votim një ndryshim në aktin normativ për marrëveshjen me kompaninë e vaksinave “Pfizer”.

Po ashtu në seancën e sotme, do të votohet edhe projektligj për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në vaksinat COVID-19 (COVAX FACILITY).

Gjithashtu sot do të kalojë edhe projektligji për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel international, inc.” për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Pas debateve dhe votimit, deputetët do të kenë mbi një orë kohë për diskutim të lirë. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja e sotme në sallë, pasi javën e kaluar shumë prej socialistëve kishin braktisur karriget e tyre dhe kishin zbarkuar në terren.

Kujtojmë gjithashtu se ka nisur zyrtarisht fushata elektorale. Pjesëmarrëse në këto zgjedhje do të jetë dhe opozita jashtë paralamentare, e cila dy vite më parë dogji mandatet.

Vetëm një muaj larg zgjedhjeve, KQZ pritet të vendosi për modelin e fletës së votimit. Gjithashtu dje (22 mars), KQZ ndau dhe fondin për zgjedhjet, i cili është sa dyfishi i atij të vitit 2017.

Pjesa më e madhe do përfitohet nga Partia Socialiste, e cila do të marrë mbi 55 milionë lekë, e ndjekur nga Partia Demokratike me rreth 33 milionë lekë, LSI me gati 19 milionë lekë dhe gjithë partitë e tjera më shuma më të vogla.