Skip to content
Aktualitet

Skandali në Durrës/ Edukatorja dhunoi foshnjën 18-muajshe, flet gjyshja e fëmijës (Dëshmia)

· 2 min lexim

Vetëm një ditë më parë, GazetaReforma.com, solli për lexuesit një denoncim në qytetin e Durrësit, ku një edukatore kishte rrahur një vajzë rreth dy vjeçe. GazetaReforma bëri me dije se pas ekspertizës, në trupin e foshnjes ishin konstatuar shenja dhune.

Kopshti ku u dhunua fëmija ndodhet në lagjen 8 “Çezma e Ferrës”, pranë Spitalit Rajonal të Durrësit.

Pas denoncimit nga prindi i fëmijës, është proceduar nga policia pronari i kopshtit, 61 vjeçari G.D.

Burimet e GazetaReforma.com tregojnë se fëmija 18 muajshe ishte rrahur brutalisht nga edukatorja dhe ka pasur shenja të nxirash në trup, si dhe kishte pësuar traumë. Bëhet me dije se fëmija i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore dhe i janë dokumentuar nëpërmjet fotografimit shenjat e dhunës në trup.

Për këtë rast ka folur edhe gjyshja e fëmijës, e cila kishte konstatuar shenja dhune te vajza e vogël, që në ditën e dytë të kopshtit.  Siç tregon gjyshja e vajzës, e vogla ka pasur shenja në fytyrë në qafë dhe në kurriz.

“Ishte goditur te faqja. Ishte dita e dytë. Unë dyshova te edukatorja e lagjes. 2 edukatore dhe pastruesja ishin në kopësht”, ka thënë  gjyshja e fëmijës së vogël.

“Fëmija ka pasur shenja në fytyrë dhe në qafë, por edhe këtu mbrapa,. Qante goca kur e prekte”, ka thënë edhe një fqinj i familjes së vogëlushes.

GazetaReforma.com mësoi se në momentin kur nëna e fëmijës ka shkuar që të marrë çantën e vajzës së saj pas ndodhisë, shtetasi G.D i ka hedhur një 50 mijë leksh të vjetër, duke i kërkuar që mos ta denonconte rastin në polici.