Skandali me stokun e ilaçeve të skaduara/ QSUT nën hetim

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Skandali i stokut të ilaçeve të skaduara të blera për farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Nënë Tereza, QSUT, gjatë viteve 2012-2018, është duke u hetuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Hetimi është përqëndruar në identifikimin e personave përgjegjës, të cilët sipas organit të akuzës, nga verifikimet e deri tanishme, dyshohet të kenë shkaktuar një dëm financiar që përllogaritet në vlerën e rreth 7 milionë eurove.

Hetimi, sipas “BIRN”, ka përfshirë zyrtarët që kanë lejuar apo blerë medikamente në sasi të mëdha pranë aftatit të skadencës.

“Jemi duke hetuar se cilët janë zyrtarët e QSUT-së, të cilët kanë kryer blerjen e ilaçeve afër datës së skadencës. Nga verifikimet e deritanishme dyshohet që vlera e medikamenteve të skaduara të arrijë shumën 7 milionë eurove,”-tha Prokurori.

Vlen për t’u përmendur fakti se këto ilaçe përveç faktit që janë blerë në afat kohor shumë afër skadencës, as nuk janë përdorur në shërbim të pacientëve minimalisht, ndërkohë që këta të fundit përballeshin me mungesën e barnave ose detyrosheshin t’i blinin kundrejt çmimeve të larta në farmacitë private.

Rreth 93 për qind e ilaçeve në farmacinë qendrore në Maj 2018 ishin të skaduara dhe vetëm 7 për qind e tyre ishin ende të përdorshme për pacientët, sipas të dhënave të “BIRN”. Barnat e skaduara të akumuluara gjatë viteve 2012-2018, kapin një kosto totale kontabël prej 481.8 milionë lekësh (rreth 3.9 milionë euro).

Ky problem është konstatuar edhe nga KLSH, që në raportet e auditit për vitet 2014 dhe 2015, ku verifikoi se kishin shkuar dëm tonelata medikamentesh të tenderuara apo të dhuruara në Qendrën Spitalore Universitare.

Sipas KLSH arsyeja ishte keqmenaxhimi dhe praktika e tenderimit të medikamenteve në prag të datës së tyre të skadencës.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e barnave të çuara dëm trajtonin sëmundje mjaft të përhapura në Shqipëri, si sëmundjet kardiovaskulare, ato psiqike apo antibiotikë për trajtimin e një sërë infeksionesh bakteriale dhe rreth 60 për qind e tyre rezultojnë të jenë blerë në vitet 2011-2013 dhe kanë dalë jashtë përdorimit në vitet 2014 dhe 2015.

Pjesa tjetër rezulton të ketë skaduar gjatë viteve 2016-2018.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një reagim për këtë çështje në 2 Nëntor 2018, duke i cilësuar akuzat si shpifje, u shpreh:

“Ilaçi më i mirë, i paskadueshëm, përballë shpifjeve janë faktet dhe shifrat. Një nga punët e bëra në katër vitet që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte që i dhamë fund praktikës së blerjes së barnave në prag skadence, e bashkë me të, edhe pazarit që bëhej në kurriz të jetës së qytetarëve”.

Por në raportin e auditimit të publikuar në mars 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentonte faktin se situata në vitet 2014-2015 paraqitej tejet e rënduar me rreth 520 mijë medikamente të skaduara.

Edhe për vitet në vazhdim situata nuk ka ndryshuar. Nga një listë me 1200 lloje medikamentesh që gjenden në farmacinë qendrore, vetëm 315 produkte ishin të konsumueshme me afat skadence pas datës 9 maj 2018.

Nëse në vitet 2014-2015, dëmi i shkaktuar nga ilaçet e skaduara ishte 172.7 milionë lekë, në vitin 2018 kjo shifër arriti në 447 milionë lekë.

KLSH  në raportet e saj fajëson për situatën mungesën e një analize të plotë në QSUT për shkaqet që çuan në këtë situatë dhe përgjegjësitë direkte të zyrtarëve dhe nëpunësve që lejuan dhe mundësuan praktikat e këtyre tenderimeve dhe të atyre që nuk i shpërndanë barnat tek para afatit të skadencës.

Burimi: Reporter.al

Shpërndaje
Share.

Komento