Skandali i përsëritur me Wizz Air/ Shqiptarët bllokohen prej dy ditësh në Barcelonë, fluturimi anulohet dhe biletat e reja dalin të pavlefshme

Një tjetër situatë kaotike me kompaninë ajrore Wizz Air ka lënë dhjetëra pasagjerë shqiptarë të bllokuar në aeroportin e Barcelonës, pa mundur të udhëtojnë drejt Tiranës dhe, sipas denoncimit të tyre, pa marrë një zgjidhje konkrete as nga kompania dhe as nga autoritetet shqiptare.
Fluturimi Barcelona–Tiranë ishte planifikuar për ditën e djeshme. Fillimisht ai u shty për në orën 03:00 të mëngjesit, ndërsa më pas u anulua plotësisht.
Pas anulimit, pasagjerëve iu dhanë bileta për fluturimin e radhës, të planifikuar për sot në drekë. Ata janë paraqitur sërish në aeroport dhe kanë kaluar procedurat deri në portën e imbarkimit, por pikërisht aty janë përballur me një tjetër problem: u është komunikuar se biletat e tyre nuk ishin të vlefshme.
Për pasojë, udhëtarët kanë mbetur sërish në aeroport, pa ditur se kur dhe si do të mund të kthehen në Tiranë.
Sipas pasagjerëve, përfaqësuesit e Wizz Air në Barcelonë nuk u kanë dhënë asnjë përgjigje konkrete, por i kanë orientuar që të kontaktojnë numrin qendror të kompanisë. Edhe kjo përpjekje nuk ka sjellë zgjidhje, pasi komunikimi bëhet vetëm përmes një sistemi automatik.
Ndërkohë, ata pretendojnë se nuk kanë arritur të marrin përgjigje as nga institucionet shqiptare, pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë.
“Kemi dy ditë që rrimë në aeroport dhe sot, që marrim në telefon Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë, askush nuk përgjigjet”, shprehet një prej pasagjerëve.
Problemet me Wizz Air nuk raportohen për herë të parë. Gazeta Reforma ka publikuar vazhdimisht denoncime të pasagjerëve shqiptarë për mënyrën e operimit të kompanisë, me problematika që përsëriten nga një fluturim në tjetrin.
Në denoncimet e bëra ndër vite janë ngritur shqetësime për anulime të papritura të fluturimeve, vonesa që zgjasin me orë, ndryshime të itinerareve, raste të mbingarkesës së rezervimeve (overbooking), pasagjerë që mbeten jashtë avionit pavarësisht se kanë prerë biletën, si dhe udhëtarë të lënë në aeroporte të ndryshme pa informacion të qartë për vazhdimin e udhëtimit.
Një tjetër problematikë e përsëritur lidhet me komunikimin dhe asistencën ndaj pasagjerëve pas anulimeve apo vonesave. Në denoncimet e publikuara më herët janë ngritur ankesa për mungesë informacioni në kohë, vështirësi për të komunikuar drejtpërdrejt me kompaninë, orientim drejt sistemeve automatike dhe mungesë zgjidhjesh të menjëhershme për transportin alternativ.
Po ashtu, pasagjerët kanë denoncuar vështirësi në procedurat për rimbursim apo kompensim, si dhe mungesë asistence të mjaftueshme kur udhëtimi ndërpritet ose shtyhet për një kohë të gjatë.
Edhe këtë herë, një fluturim anulohet, udhëtarëve u jepet një alternativë që më pas rezulton e pavlefshme dhe pasagjerët mbeten në aeroport duke kërkuar një përgjigje se si do të kthehen në Shqipëri.
Këtë herë, situata bëhet edhe më problematike nga pretendimi i pasagjerëve se prej dy ditësh nuk po arrijnë të marrin një zgjidhje jo vetëm nga Wizz Air, por as përgjigje nga përfaqësitë shqiptare të cilave u janë drejtuar për ndihmë.