“Si t’i thoja jo?” Rama tregon si u njoh me Kushner e Ivanka Trump: Protestat? Janë fantastike!

Edi Rama ka zbuluar për herë të parë detaje mbi njohjen me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, si edhe mënyrën se si lindi interesi i tyre për të investuar në Shqipëri, konkretisht në zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit.
Në një intervistë për rrjetin britanik Channel 4, Rama rrëfeu se takimi i parë me çiftin daton në vitin 2020, gjatë një ndalese të një jahti në Shqipëri, ndërsa theksoi se në atë kohë ata nuk kishin asnjë interes investimi për vendin. Sipas tij, kjo ide lindi disa muaj më vonë, gjatë Forumit Ekonomik në Davos, kur Jared Kushner shprehu dëshirën për të eksploruar mundësitë e investimit në Shqipëri.
“Unë isha i ftuar t’i bashkohesha disa njerëzve, në një jaht, që ndaloi në Shqipëri, për t’u mbushur me karburant, dhe që të shkonte në Mal të Zi. Isha i ftuar dhe shkova. U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund t’ju them me bindje se nuk ishin të interesuar për asgjë për Shqipërinë në termat e interesit direkt, ishin të interesuar për historinë, ku ishin. E para. E dyta, kur ndodhi, disa muaj më vonë në Davos, dhe Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë po. Si do t’i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, u shpreh Rama.
Duke folur për projektet e planifikuara në Sazan dhe Zvërnec, kreu i qeverisë tha se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë qenë vetëm materiale prezantuese. Ai shtoi se po zhvillohet një vlerësim i pavarur i ndikimit në mjedis dhe se synimi është rigjenerimi i zonës, jo dëmtimi i saj.
“Kjo do të jetë një nga gjërat më fantastike për Europën për një kohë shumë të gjatë. Nuk i kanë ndodhur shumë gjëra fantastike Europës prej një kohe tashmë. Sepse do të jetë çfarë gabimisht njerëzit imagjinojnë. Jo çfarë imagjinoni ju. Çfarë u hodh në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektët më të mirë, dizajnerë peizazhesh që janë të famshëm për ligatina. Në të njëjtën kohë, po bëjmë vlerësimin e ndikimit mjedisor, të pavarur nga ata. Kështu që, projekti nuk brutalizon një vend të bukur. Qëllimi është të rigjenerojë atë”, deklaroi ai.
Rama përsëriti gjithashtu se projekti do të zbatohet në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, ndërsa i cilësoi normale shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian në kuadër të procesit të integrimit.
“Është mirë, shumë mirë që KE është i shqetësuar, s’mund të jetë ndryshe. Dhe ne po negociojmë që të bëhemi anëtarë të BE-së. Thjesht ideja që ne do të shkojmë në një drejtim me një projekt apo çdo projekt në drejtim tjetër që bie ndesh me direktivat e BE-së, është absurd. Nuk jam i lënduar nga komentet për projektin, çdo gjë është personale. Por s’jam personale. Për mua kjo protestë, e qershorit, jo tani, është konfirmimi se vendi është në një nivel tjetër, dhe një pasqyrë se çfarë duhet për të reflektuar”, tha kryeministri.
Në intervistë, Rama komentoi edhe protestat që prej afro dy muajsh zhvillohen çdo mbrëmje para Kryeministrisë. Ai tha se i sheh ato si një shenjë të rritjes së pritshmërive të qytetarëve dhe të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
I pyetur se si ndihet përballë protestuesve që mblidhen çdo natë pranë zyrës së tij, Rama u përgjigj:
“Është diçka e mrekullueshme për vendin dhe për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard – jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë – njerëzit vriteshin me plumba të vërtetë ndërsa protestonin në mënyrë paqësore. Kam reflektuar gjatë mbi këtë protestë dhe kam kuptuar se për njerëzit – dhe me të drejtë – nuk bëhet fjalë thjesht për faktet; janë pritshmëritë më të larta ato që i nxjerrin njerëzit në rrugë. Kjo është e mrekullueshme – prandaj thashë se është fantastike – dhe unë i kuptoj ata.”
Intervista u transmetua në një moment kur protestat kundër investimeve në Sazan dhe Zvërnec kanë kaluar muajin e dytë, ndërsa qytetarët kanë zgjeruar kërkesat e tyre, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.