Pas një kërkese drejtuar gjigantit amerikan ‘Apple’ për të vendosur Kosovën në hartë, Dua Lipa e gjeti veten në qendër të një debati politik, e nxitur kjo nga serbët. Publikimi i hartës që reklamon “Shqipërinë e Madhe” me mbishkrimin ‘Autochthonous’ ishte gracka në të cilën ra këngëtarja me origjinë shqiptare, duke u konsideruar në mediat ndërkombëtare si një “nacionaliste”, term që nuk lë shije pozitive në Perëndim, dhe aq më pak kur përfshihet Ballkani.
Por si nisi debati?
“Apple, kemi nevojë për disa shpjegime!!! Futeni Kosovën dhe Palestinën në hartë”, kjo ishte kërkesa që Dua Lipa publikoi fillimisht në Instagram dhe që i drejtohej kompanisë së teknologjisë, e cila kufijtë veriorë të Kosovës i njeh si pjesë të Serbisë.
Deri këtu kërkesa ishte normale dhe legjitime e një personaliteti ndërkombëtar që bën fushatë në favor të vendit të origjinës. Por shumë shpejt situata u tensionua për shkak të reagimeve me karakter politik/etnik që erdhën nga Serbia.
Mediat serbe nisën menjëherë artikujt kundër këngëtares shqiptare, madje duke i ndryshuar edhe emrin me qëllim fyerje, duke e quajtur Dui Lipi. Këngëtare të shumta serbe publikuan reagime kundër Duas, duke deklaruar se “këngëtarja shqiptare po nxiste urrejtje” apo se “vetë Dua e di shumë mirë që Kosova është zemra e Serbisë”. Kishte edhe komente nga artiste serbe që i kërkonin Duas që të mos fliste për Kosovën e pavarur për shkak se nxiste urrejtje pasi “Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur, por gjithnjë pjesë e Serbisë”.
Këto deklarata të publikuara në mediat serbe, të nxitura edhe nga qindra reagime në rrjetet sociale, krijuan grackën perfekte në të cilën ra Dua Lipa.
Këngëtarja u kundërpërgjigj me shpejtësi dhe emocionalisht duke publikuar një hartë të “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin: autokton, mbiemër – (banori i një vendi) autokton dhe jo pasardhës i migrantëve apo kolonialistëve.
Tashmë në sytë e opinionit publik fushata e Dua Lipës nuk lidhej vetëm me Republikën e Kosovës, për në lojë u përfshinë kërkesat nacionaliste, si dhe shtetet e tjera të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Greqinë.
Pas disa minutash rrjetet sociale u mbushën me komente se fituesja e çmimit Grammy po i jepte zë një ideje fashiste. Mediat britanike dhe ato amerikane po raportonin se Dua Lipa kishte shpallur idetë e saj nacionaliste dhe se në qendër të debatit ishte çështja e diskutueshme e Kosovës.
Pavarësisht përpjekjeve të këngëtareve të tjera me famë ndërkombëtare si Rita Ora, Ava Max apo Era Istrefi që po përpiqeshin të përqëndronin diskutimin vetëm mbi kompaninë “Apple”, pa përfshirë diskutime politike, mediat britanike nisën t’i drejtoheshin me kërkesa përfaqësueseve të Dua Lipës për të marrë përgjigje mbi publikimin e hartës së “Shqipërisë së Madhe”.
Tërheqja e Duas
E gjendur në vorbullën e kritikave si mbështetëse e kërkesave nacionaliste të shqiptarëve për të zgjeruar kufijtë shtetërorë me territore që tashmë ndodhen në shtetet e tjera të Ballkanit, Dua Lipa u tërhoq.
Po nëpërmjet një postimi në Instagram, ajo sqaroi se publikimi i hartës nuk kishte për qëllim të nxiste urrejtje. Vetë Dua pranon se publikimi i hartës së “Shqipërisë së Madhe” ishte emocional dhe i ndikuar nga fakti që përballet çdo ditë me rezistencën për të promovuar një kulturë autentike kosovare.
“Me postimin tim paraprak nuk kisha menduar kurrë të nxis urrejtje. Më trishton dhe më zermëron fakti që postimi im është interpretuar keq me dashje nga disa grupe dhe individë që promovojnë separatizmin etnik, diçka që e kundërshtoj plotësisht. Sa herë që postoj për Kosovën ‘feedi’ im çmendet, (marrë shumë reagime)edhe nëse është diçka që ka të bëjë me gëzimin, ushqimin apo muzikën dhe përballem me rezistencë të ashpër për idenë e një kulture autentike kosovare. Ne të gjithë meritojmë të ndihemi krenarë për etninë dhe prej nga jemi. Unë thjesht dua që shteti im të prezantohet në hartë dhe të jem në gjende të flas me krenari dhe gëzim për rrënjët e mia shqiptare dhe shtetin tim mëmë. Inkurajoj të gjithë të përqafojnë trashëgiminë e tyre dhe të dëgjojnë e mësojnë prej njeri-tjetrin. Paqe, dashuri dhe respekt për të gjithë”, u shpreh Dua, duke u përpjekur të kthejë diskutimin aty ku nisi, te kërkesa për prezantimin e Republikës së Kosovës në kompanitë ndërkombëtare.
E megjithatë, pas gjithë këtij debati, Dua Lipa rikthehet aty ku vështirë se mund të kontestohet dhe të kritikohet, te projektet fantastike muzikore. Ajo ka njoftuar se të enjten publikohet kënga e radhës me J Balvin dhe Bad Bunny, që me shumë mundësi do të na shoqërojë përgjatë gjithë verës.
View this post on Instagram
UN DIA / ONE DAY COMING THIS THURSDAY 8PM EST @jbalvin @badbunnypr @tainy ✨ @ursulolita