Shuhet në moshën 15-vjeçare Noel Cura, talenti i Apolonisë që bashkoi mijëra shqiptarë në betejën për jetën

Një lajm i dhimbshëm ka tronditur familjen Cura, qytetin e Fierit dhe komunitetin e futbollit. Noel Cura, futbollisti vetëm 15-vjeçar i Akademisë së Apolonisë, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Noeli ishte diagnostikuar në janar të vitit 2025 me një tumor agresiv në kokë dhe kishte nevojë urgjente për trajtim të specializuar jashtë vendit. Historia e tij preku mijëra shqiptarë, të cilët iu përgjigjën thirrjes për ndihmë dhe arritën të siguronin në kohë rekord fondet e nevojshme për kurimin e tij.
Pavarësisht përpjekjeve, trajtimeve dhe shpresës që e shoqëroi gjatë kësaj beteje, gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit u përkeqësua.
Lajmin e rëndë për ndarjen e tij nga jeta e dha babai i Noelit, avokati Artan Cura.
“Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh, biri im”, shkroi ai.
Noel Cura do të kujtohet si talenti i ri i Apolonisë dhe një djalë me pasion të madh për futbollin, i cili në një moshë kaq të vogël u përball me një betejë tepër të vështirë. Historia e tij bashkoi mijëra njerëz, të cilët kontribuuan dhe shpresuan deri në fund për shërimin e 15-vjeçarit.