Skip to content
Kryesore

Shtohen zjarret në vend, 18 vatra nën vëzhgim; situatë e vështirë në Lurë

· 3 min lexim

Temperaturat e larta dhe era kanë favorizuar përhapjen e zjarreve dhe rindezjen e disa vatrave që më herët ishin vënë nën kontroll. Gjatë ditës janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa situata vijon të kërkojë angazhim të lartë të forcave në terren dhe nga ajri.

Ministria e Mbrojtjes, në përditësimin e situatës deri në orën 20:00, bëri të ditur se aktualisht janë nën vëzhgim 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, dy në monitorim dhe dy nën kontroll.

Për përballimin e situatës vijon angazhimi i strukturave të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror. Vetëm Forcat e Armatosura kanë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tre ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Në Tiranë, operacionet vijojnë në Dajt dhe në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me angazhimin e MZSH-së, ADZM-së, vullnetarëve dhe mbështetjen ajrore të Forcave të Armatosura. Pavarësisht terrenit të vështirë dhe përhapjes së mëparshme të flakëve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, ndërhyrja e forcave operacionale dhe Forcave të Armatosura, e mbështetur edhe nga një helikopter, ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit në lagjen Abaze. Në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Situata më e vështirë vijon të paraqitet në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë përqendruar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe nëntë punonjës të ADZM-së, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor.

Ndërhyrja e koordinuar ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave dhe shmangien e rrezikut për djegien e tyre, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera. Në Qafën e Helmes po operojnë gjithashtu MZSH-ja, forcat bashkiake dhe forcat e Njësisë Administrative Selishtë.

Në Përmet vijon puna për shuarjen e zjarreve në Nëmerçkë dhe Dhëmbel. Terreni mbetet i vështirë, por nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Moravë, Devoll, ndërhyrja e MZSH-së ka bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll. Ndërkohë, në Trojë të Mirditës, operacionit u janë bashkuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas MZSH-së, forcave bashkiake, policisë dhe vullnetarëve.

Në Shkodër vijon puna në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Vatra në Goraj-Budishtë po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa zjarri në Kryezi është nën kontroll.

Operacionet vijojnë edhe në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës të Elbasanit. Në Lugaxhi janë angazhuar MZSH-ja, strukturat pyjore, ASHP-ja, forcat bashkiake dhe 30 vullnetarë, me mbështetjen e Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Finiq, ndërkohë, vatrat në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa zjarri në Dhrovjan është vendosur nën kontroll pas ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe ajri.